Operacioni “Filter”: Goditet kontrabanda e 69 milionë cigareve, 13 të ndaluar — mes tyre doganierë e policë
Kontrolle në 23 lokacione në Maqedoninë e Veriut: sekuestrohen 69.35 milionë cigare, ndërsa dëmi për buxhetin kalon 377 milionë denarë, rreth 6 milionë euro.
Shkup, 24 shtator — Një operacion i gjerë i Policisë dhe Doganave të Maqedonisë së Veriut, i koduar “Filter”, ka goditur një rrjet të organizuar kontrabande cigaresh, duke shkaktuar një nga goditjet më të rënda të viteve të fundit ndaj ekonomisë informale.
Sipas Drejtorit të Doganave, Boban Nikolovski, i cili i bëri publike detajet në një konferencë për shtyp, në kuadër të hetimeve janë sekuestruar gjithsej 69.35 milionë cigare të kontrabanduara. Dëmi i llogaritur për buxhetin e shtetit tejkalon 377 milionë denarë, ekuivalent me rreth 6 milionë euro.
Operacioni përfshiu kontrolle të sinkronizuara në 23 lokacione në të gjithë vendin, ku u ndaluan 13 persona. Mes të ndaluarve janë katër doganierë, dy policë, dy shoferë dhe pesë persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në skemën kriminale.
Kallëzime penale janë ngritur kundër 18 personave dhe tri kompanive. Hetimi mbulon shtatë raste të periudhës 1 janar – 30 qershor 2024, duke dokumentuar mënyrën e funksionimit të rrjetit të kontrabandës.
Autoritetet e përshkruan operacionin “Filter” si rezultat të një pune disa-mujore hetimore dhe bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve ligjzbatuese, me qëllim goditjen e kontrabandës dhe mbrojtjen e të ardhurave buxhetore.
Burimet: mkinformer.com dhe Fokus



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.