☀️
Tiranë 21°C · Kthjellët 03 Tetor 2026
S&P 500 7,723 ▲0.73%
DOW 51,177 ▲0.49%
NASDAQ 27,191 ▲1.19%
NAFTA 91.11 ▼1.9%
ARI 4,162 ▼0.95%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1252 EUR/GBP 0.8508 EUR/CHF 0.9324 EUR/ALL 92.0700 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4749 EUR/TRY 55.2880 EUR/JPY 177.78 EUR/CAD 1.6029 EUR/USD 1.1252 EUR/GBP 0.8508 EUR/CHF 0.9324 EUR/ALL 92.0700 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4749 EUR/TRY 55.2880 EUR/JPY 177.78 EUR/CAD 1.6029
₿ CRYPTO
BTC $84,814 ▼ -0.49% ETH $2,682 ▼ -0.48% XRP $1.4897 ▼ -0.94% SOL $119.6600 ▼ -0.27%
S&P 500 7,723 ▲0.73 % DOW 51,177 ▲0.49 % NASDAQ 27,191 ▲1.19 % NAFTA 91.11 ▼1.9 % ARI 4,162 ▼0.95 % S&P 500 7,723 ▲0.73 % DOW 51,177 ▲0.49 % NASDAQ 27,191 ▲1.19 % NAFTA 91.11 ▼1.9 % ARI 4,162 ▼0.95 %
EUR/USD 1.1252 EUR/GBP 0.8508 EUR/CHF 0.9324 EUR/ALL 92.0700 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4749 EUR/TRY 55.2880 EUR/JPY 177.78 EUR/CAD 1.6029 EUR/USD 1.1252 EUR/GBP 0.8508 EUR/CHF 0.9324 EUR/ALL 92.0700 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4749 EUR/TRY 55.2880 EUR/JPY 177.78 EUR/CAD 1.6029
03 Tet 2026
Breaking
Opinion

Opozita e Taiwanit…

Nga Ylli Manjani

Një njoftim i Sali Berishës se opozita e tij është kundër një kulle te parku i njohur si Taiwan dhe se, për këtë arsye, do të mbledhë firma kundër saj, më la pa tekst.

Opozita politike e një vendi ku një parti e vetme vijon të fitojë terren elektoral, megjithë jetëgjatësinë e saj dhe skandalet në qeverisje, paska luksin të merret me çështje të estetikës urbane. Të mbledhë firma kundër një kulle.

Në kushtet kur vendi ku jetojmë ka nevojë emergjente për një alternativë politike, opozita merret me një ndërtim në qendër të Tiranës. Dhe, nuk përton hiç ti bëjë një shërbim të madh asaj që qeveris.

Në këto kushte qeveria ka gjithë luksin të mbështetet tek narrativa e zhvillimit. Sa herë që opozita politike del kundër një projekti të ri urban, qeveria mund të thotë: “Unë po zhvilloj vendin.” Edhe pse zhvillimi i një vendi, natyrisht, nuk varet nga një kullë, sado e madhe apo spektakolare të jetë ajo.

Por politika funksionon edhe me simbole. Dhe njerëzit, në përgjithësi, priren drejt së resë. Politika që shkon me të renë gjithmonë fiton. Ky është fakt.

Nga ana tjetër, ndërtimi mbart në vetvete biznes, pronë, treg, kapital, investim dhe ekonomi. Janë pikërisht këto koncepte që një parti që pretendon të jetë e djathtë duhet t’i ketë në ADN.

PD-ja, ndërkohë, vijon të shfaqet gjithnjë e më shumë kundër tyre.

Ku është e djathta?

Shqipëria ka nevojë ulëritëse që, për disa vite në vijim, të qeveriset nga një e djathtë klasike. Nga një e djathtë e pronës, e tregut të lirë, e biznesit të fortë, e familjes, e përgjegjësisë individuale, e shtetit rregullator e të drejtë dhe e një shoqërie konservatore.

Por ku është kjo e djathtë?

Si mund të quajë veten të djathtë një parti që poseduesin e vilës e quan të korruptuar, biznesmenin e suksesshëm e quan oligark, ndërtuesin drogaxhi, ndërsa pronarin e tokës e trajton si kulak?

Çfarë raporti ka kjo PD me të djathtën?

Le pastaj kakofonia në çështjet e shtetit dhe të drejtësisë.

Kur drejtësia heton Berishën, ajo shpallet grup kriminal. Prokurorët janë maskarenj e të korruptuar.

Kur e njëjta drejtësi heton qeverinë, prokurorët shndërrohen në heronj.

Si mund të ndërtohet besimi tek një politikë që një ditë përplaset me drejtësinë dhe ditën tjetër rreshtohet pas interesave të atyre prokurorëve që, sipas vetë opozitës, kanë përdorur mjete abuzive për të goditur edhe opozitën?

Nuk mund të kërkosh një shtet ligjor vetëm atëherë kur ai të shërben.

Nuk mund të kërkosh një ekonomi tregu duke e trajtuar çdo investim si armik politik. Si bisnes droge, oligarkie apo korrupsioni.

Nuk mund ta bësh as për faktin se ka mjaft të pasur, bisnesmenë, ndërtues, pronar bilash e apartamentesh luksoze që janë të djathtë dhe me PD. Imagjinoni që një parti të kërkon mbështetje duke të thënë se do të të marrë pronën, paratë dhe çdo gjë që ke…!

Shqipërisë i duhet opozita e Shqipërisë, jo opozita e parkut të Taiwanit.

I duhet një alternativë e djathtë që të marrë në dorë taksat, pagat, pensionet, pronën, biznesin, konkurrencën, arsimin, shëndetësinë, emigracionin, sigurinë, drejtësinë, administratën, energjinë, investimet dhe marrëdhënien e qytetarit me shtetin.

I duhet një opozitë sot dhe një alternativë nesër, që të tregojë çfarë do të bëjë ndryshe, jo vetëm se çfarë nuk i pëlqen nga ajo që ndërton qeveria.

Të jesh kundër një kulle është shumë e lehtë.

Të ndërtosh një alternativë qeverisëse është shumë më e vështirë.

Dhe, meqë ra fjala, për kullën e Taiwanit: projekti ishte spektakolar.

Kishte një konstruksion të vështirë dhe, me sa duket, edhe kosto të konsiderueshme. Por, thënë thjesht si qytetar dhe pa e kthyer arkitekturën në program politik, projekti ishte shumë i bukur.

Uroj të bëhet.

Por edhe më shumë uroj që PD-ja të fillojë të bëjë opozitën që i duhet Shqipërisë.

Jo opozitën e Taiwanit.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.