Zjarri në spitalin «8 Shtatori» në Shkup shkaktoi panik dhe evakuimin e pacientëve
Në katin e dytë morën flakë karroca invalidore të lëna në tarracë; nuk ka persona të lënduar, vetëm dëme materiale.
Një zjarr ka shpërthyer sot në Spitalin e përgjithshëm «8 Shtatori» në Shkup dhe si pasojë janë evakuuar të gjithë pacientët që kanë qenë aty në atë moment, sipas Alsat. Sipas informatave të para, nga zjarri nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar disa dëme materiale.
Pacientët e evakuuar nga reparti i Ortopedisë rrëfejnë momentet kur shpërtheu zjarri: «Ja, mezi zbritëm nga shkallët. A u evakuat të gjithë? Po, të gjithë. I falënderoj personelin mjekësor që na ndihmuan. Ishim në ortopedi dhe të gjithë ishin të angazhuar», tha një qytetare.
«Isha lart në katin e shtatë dhe kur dola kishte tym dhe nuk e dinim a ka zjarr apo jo. Unë zbrita poshtë para se të ndodhte rrëmujë më e madhe. Isha në katin e shtatë, në repartin e dermatologjisë», tha një qytetar.
«Pamë që kishte shumë tym dhe ndjehej aroma sikur po digjeshin kabllo. Filloi të dalë tym, si mjegull. Isha në katin e shtatë, nëpër shkallë dolëm ngadalë jashtë», tha një qytetar tjetër.
Disa punonjës të spitalit kanë thënë se disa pacientë kanë marrë terapi me oksigjen, pasi kanë thithur tym të dendur. Sipas zjarrfikësve, të gjithë pacientët e repartit janë evakuuar menjëherë.
«Morëm thirrje se në spitalin «8 Shtatori», në katin e dytë. Menjëherë dërguam katër ekipe të zjarrfikësve, për shkak të rëndësisë së objektit ku ishte paraqitur se ka ndodhur zjarri. Me arritjen në vend u gjetën se janë përfshirë nga zjarri karroca invalidore të lëna në tarracë të spitalit. U intervenua me aparate të dorës kundër zjarrit dhe me ndihmën e personelit të spitalit u evakuan pacientët dhe vizitorët në spital, dhe përveç dëmeve materiale nuk ka persona të lënduar», tha Zvonko Tomeski, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë konfirmuar, por sipas informatave jozyrtare, zjarri dyshohet se ka nisur pasi një pacient ka ndezur cigare në tarracën e njërës prej dhomave spitalore, në katin e dytë. Zjarri ka nisur nga cigarja, duke u përhapur te disa karroca, ndërsa më pas tymi është përhapur në të gjithë repartin, sipas Alsat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.