Opozita në Tiranë ka vetëm një kandidat, Arlind Qorin
Arlind Qori është e vetmja kandidaturë opozitare që sot që premton një qytet jo vetëm për ndërtuesit por edhe për qytetarët

Që një kandidat politik të jetë opozitar i qeverisjes ai duhet të përmbushë dy kushte politike themelore. Së pari, ai dhe forca politike që e mbështet apo e kandidon duhet të kenë dëshirë dhe synim të qartë politik ardhjen në pushtet. Së dyti, kandidati opozitar duhet të ofrojë një alternativë të ndryshme qeverisje nga ajo e pushtetit.
Arësyeja është e thjeshtë. Në pamundësi për ta fituar Bashkinë e Tiranës vetë, Berisha nuk dëshiron asnjë kandidat opozitar në krye të Tiranës që mund ti rrezikojë atij kontrollin e PD-së duke krijuar një pol pushteti në Bashkinë e Tiranës.
Për pasojë strategjia themelore politike e Berishës sot është prodhimi i një kandidati “opozitar” që nuk ka asnjë shanc fitoreje. Dhe për të arritur këtë synim Berisha ndërmori dy hapa konkret.
Së pari, nga të gjithë emrat e kandidatëve që qarkullonin për Tiranën zgjodhi kandidatin më pak serioz që është punësuar tek televizioni i tij familjar. Së dyti, kandidatin “e pavarur” që zgjodhi e emëroi publikisht, pa u konsultuar me askënd, për të shkatërruar kështu imazhin e tij si i pavarur.
Berisha i kish të gjitha mundësitë ta shiste kandidatin Binaj tek elektorati shqiptar si të pavarur. Ai shumë lehtë mund të organizonte një tryezë me partitë e tjera opozitare dhe ti impononte atyre këtë kandidat, që më pas do prezantohej si një zgjedhje konsensuale e opozitarizmit, dhe jo personale e Berishës.
Berisha mund të kish organizuar edhe një sondazh për zgjedhjen e kandidatit opozitar, siç propozoi kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj. Me shumë gjasa një sondazh të tillë do ta kish fituar Florian Binaj, sepse ai është shumë më i njohur në publik sesa kandidatët e tjerë. Një proces i tillë do kish legjitimuar kandidaturën e Binaj si të pavaruar duke i rritur kështu kapitalin elektoral.
Pikërisht kësaj i frikësohej Berisha. Ndaj nxitoi ta emëronte publikisht dhe personalisht, pa u konsultuar me askënd, për të eleminuar çdo iluzion se Binaj ishte në fakt një kandidat i pavarur. Që në këtë moment debatet mbi pavarësinë e tij politike janë pa sens.
Po kaq pakuptim janë argumentet se Binaj u zgjodh nga doktori për të hequr përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve në Tiranë. Ky është një hall që ekziston vetëm në imagjinatën gazetareske sepse Berisha ka kohë që nuk merr asnjë përgjegjësi dhe as nuk i jep llogari Flamur Nokës për dështimet elektorale të PD-së.
I vetmi hall që ka doktori është se mos ndodh ndonjë çudi dhe fiton Binaj në Tiranë. Dhe për të evituar këtë rrezik ai jo vetëm i hedh në erë pavarësinë e supozuar por do sigurohet që PD-ja dhe strutkura e saj mos ti ofrojë asnjë ndihmë në fushatë elektorale.
Pra në vend që trajtojë në publik si figurë e pavarur e shoqërisë civile dhe privatisht ti ofrojë mbështetje politike, Berisha e trajton Binajn në publik si vartesin e tij personal dhe privatisht në fushatë elektorale do ta trajtojë si të pavarur nga Partia Demokratike.
Kjo është formula e doktorit që garanton humbjen e kandidatit të tij politik. Është një formulë që besoj se edhe vetë Binaj e ka të qartë.
Gjasat janë që edhe ai nuk është aty për të fituar bashkinë por për të marrë ndonjë mandat deputeti në zgjedhjet e ardhëshme. Nëse Binaj do ta kishte mandatin e deputeti zor se do kandidonte për kryetar bashkie sot.
Kaq besoj se mjafton për të argumentuar se as kandidati i Berishës dhe as vetë Berisha nuk kanë ndonjë synim për të fituar Bashkinë e Tiranës. Berisha ka si synim kontrollin e opozitës dhe jo ardhjen në pushtet, sepse e ka të pamundur. Në funksioni të këtij qëllimi ai ndërton një kandidat dhe fushatë elektorale që synon humbjen në zgjedhjet lokale në Tiranë.
Mungesa e dëshirës dhe synimit për të fituar Bashkinë e Tiranës bëhet akoma më e qartë jo vetëm tek daljet televizive të kandidatiti Binaj ku gënjen pa asnjë arësye, por edhe te mungesa e një vizioni alternativ për Tiranën. Deri tani nuk kemi dëgjuar kush është Tirana alternative që propozon kandidati i Berishës, përballë kullave që ka ndërtuar dhe po ndërton Rama dhe berishizmi në kryeqytet.
Një kandidat dhe forcë politike që futet në një betejë elektorale me synimin e qartë për ta humbur është paterica dhe jo opozita e pushtetit. Kemi të bëjmë me një pseudo-kandidaturë që si synim kryesor nuk ka rrëzimin e pushtetit Rama në Tiranë por sfumimin e alternativave reale opozitare siç është kandidatura e Arlin Qori që fokusohen tek problemet themelore të qytetarëve që nga kosto e jetesës, hapësirat publike, shërbimet, transporti, ndotja, qiratë apo cmimi i apartamenteve.
Në cirkun tonë mediatik Binaj prodhon lajm herë me gafat apo gënjeshtrat mbi lidhjet me Ramën dhe Veliajn, herë me debatin pa sens nëse është i pavarur apo jo, herë me numrin e Zenit që nuk e ka, herë me vijat e kuqe që ka me Berishën. Të gjitha diskutime pa brum që jo vetëm nuk prekin asnjë nga problemet themelore të Tiranës por na bëjnë të harrojmë se në garë ka edhe kandidatë të tjerë si Arlind Qori, që janë një alternativë e vërtetë opozitare.
Ndryshe nga Binaj, Arlind Qori ka dëshirën dhe synimin real për ta fituar Bashkinë e Tiranës dhe njëkohësisht ofron një alternativë ndaj modelit Rama në Tiranë. Natyrisht shancet e tij për të fituar Tiranën janë të debatueshme, ama nuk ka dyshim që ai futet në garë për ta fituar dhe jo për ta humbur Bashkinë e Tiranës.
Përballë një modeli qeverisës që privatizon pafund hapësirën publike duke pasuruar një grup gjithnjë e më të vogël njerëzisht, Qori ofron mbrojtje dhe përkushtim ndaj hapësirës dhe interesit publik. Përballë kullave të milionerëve ai ofron lulishte dhe hapësira publike dhe shërbime më cilësore për qytetarët e thjeshtë.
Nuk është çudi që idetë e tij cilësohen nga të gjitha palët si marksiste, komuniste apo anti-kapitaliste. Ligjërimi anti-komunist i përpunuar trashë nga Berisha dhe hollë nga Rama përdoret kundër kujtdo që mendon se hapësira publike nuk duhet të privatizohet, apo se interesi publik është mbi atë privat.
Ide të tilla quhen komuniste nga media, politikanë dhe biznesmen që me flamurin e anti-komunizmit dhe të “tregut të lirë” kanë privatizuar shtetin, hapësirën publike, qytetin e Tiranës dhe të gjitha industritë strategjike të vendit. Mjafton të shikosh skandalin e fundit të Aeroportit të Vlorës ku një aset super-strategjik, ndërtuar mbi terren shtetëror është në pronësi thjesht të dy privatëve, me shtetin që bën sehir.
Idetë e kandidatit Arlind Qori dhe të Lëvizjes Bashkë përbëjnë një rrezik real për dyshen Rama-Berisha që ditën zihen në politikë dhe natën ndërtojnë në Tiranë. Ai ofron një alternativë jo vetëm ndaj qeverisjes Rama në Tiranë por edhe ndaj opozitës berishiste që prej kohësh është kthyer në patericë të pushtetit.
Ndaj si Ramës edhe Berishës i bën punë një kandidat si Binaj. Ai shërben për të mbajtur Ramën në pushtet dhe Berishën në opozitë. Në këtë aspek ai nuk është kandidati i ndryshimit por i kënetës sonë politike.
Ndryshimi në Tiranë, për ata që duan ndryshim, është vetëm tek kandidatura e Arlind Qorit. Është e vetmja kandidaturë opozitare sot që premton një qytet jo vetëm për ndërtuesit por edhe për qytetarët.
*Artikull i Blendi Kajsiut shkruar enkas për Lapsi.al

