Organizatat humanitare, ndër kandidatët e mundshëm për çmimin “Nobel” për Paqen
– Fituesi i çmimit “Nobel” për Paqen për vitin 2026 pritet të shpallet sot në kryeqytetin norvegjez, Oslo.
Komiteti Norvegjez i Nobelit do të bëjë të ditur vendimin në orën 11:00.
Këtë vit, komiteti ka shqyrtuar 287 kandidatë, dukshëm më pak se vitin e kaluar. Mes tyre janë 208 individë dhe 79 organizata.
Në vitin 2025, çmimi iu dha udhëheqëses së opozitës venezueliane, María Corina Machado.
Ajo ia kushtoi çmimin presidentit amerikan, Donald Trump dhe më vonë i dhuroi medaljen e saj. Megjithatë, sipas rregullave të Nobelit, vetë çmimi nuk mund t’i kalojë një personi tjetër.
Këtë vit, vlera monetare e çmimit është 12 milionë korona suedeze (rreth 1,2 milionë dollarë).
Fituesit e çmimeve “Nobel” për mjekësinë, fizikën, kiminë dhe letërsinë janë shpallur tashmë.
Çmimet “Nobel” u krijuan nga Alfred Nobeli (1833–1896), shpikësi i dinamitit.
Në testamentin e tij, ai përcaktoi që çmimet t’u jepeshin atyre që, gjatë vitit pararendës, kishin sjellë përfitimin më të madh për njerëzimin në fushat përkatëse.
Paqja ishte fusha e pestë dhe e fundit që Nobeli përmendi në testamentin e tij.
Ai nuk shpjegoi pse çmimi për paqen duhej të jepej nga një komitet norvegjez, ndërsa katër çmimet e tjera administrohen nga komitete suedeze.
Organizatat humanitare, ndër kandidatët e mundshëm
Disa ekspertë mendojnë se këtë vit komiteti mund të zgjedhë një kandidat që shkakton më pak polemika. Mes fituesve të mundshëm përmenden edhe organizatat humanitare.
Ndër organizatat që përmenden si kandidate të mundshme janë grupet që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, si “Save the Children”, si dhe “Emergency Response Rooms” në Sudan.
Kjo e fundit është një rrjet organizatash dhe grupesh vullnetare, të krijuara nga vetë komunitetet lokale, që prej shpërthimit të luftës civile në Sudan ofron ushqime, kujdes mjekësor dhe strehim emergjent për njerëzit në nevojë.
Shpallja e fituesve të çmimeve “Nobel” do të përfundojë të hënën me Çmimin e Bankës Qendrore të Suedisë për Shkencat Ekonomike, në kujtim të Alfred Nobelit.
Të gjitha çmimet do t’u dorëzohen fituesve më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.