Osmani për trevjetorin e rënies së Afrim Bunjakut: Lavdi e përjetshme Heroit të Kosovës
Ish-presidentja e Kosovës përkujtoi rreshterin e vrarë në Banjskë me një postim në rrjetet sociale
PRISHTINË, 24 shtator 2026 – Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka shkruar: “Tri vite më parë, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, duke e vulosur me jetën e tij një të vërtetë që brezat tanë e kanë mbrojtur me sakrificë: kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm dhe liria e Kosovës është e shenjtë”. Ajo ka shtuar: “Ai ra duke mbrojtur Kosovën. Ne do ta kujtojmë duke mbrojtur atë që ai la pas: Republikën, lirinë dhe sovranitetin tonë”. Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, gjatë një sulmi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, për të cilin autoritetet e Kosovës fajësuan një grup terrorist të organizuar, të armatosur dhe të mbështetur nga Serbia. Ai u shpall pas vdekjes Hero i Kosovës. Në trevjetorin e rënies së tij, Bunjakun e kanë përkujtuar sot edhe kryeministri Albin Kurti, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, si dhe ambasadat e SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë në Prishtinë. (Burimi: Rekordi.net; Klankosova.tv)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.