Demo: Teknologjia, pjesë e sigurisë dhe shërbimeve publike – IdentiTek në qendër të infrastrukturës kritike
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në panairin “Future Tech 2026”, vuri theksin te roli gjithnjë e më i rëndësishëm i teknologjisë në sigurinë publike dhe në shërbimet që shteti ofron për qytetarët. “Edhe pse Ministrat e Brendshëm nuk janë pjesëmarrësit tipikë në panaire të tilla, prania ime këtu tregon prioritetin që ka teknologjia për dikasterin që drejtoj, por mbi të gjitha rëndësinë që ajo ka në jetën e qytetarëve”, u shpreh Demo.
Ministri nënvizoi se teknologjia tashmë është pjesë e çdo dimensioni të punës së Policisë së Shtetit, duke përmendur kamerat inteligjente, laboratorët shkencorë modernë, sigurinë kibernetike, rrjetet e sigurta digjitale dhe sistemet e avancuara, të cilat sipas tij kontribuojnë në një shërbim më të mirë dhe në rritjen e sigurisë.
Në këtë kuadër, Demo vlerësoi rolin e IdentiTek, si një shoqëri me 100% kapital shtetëror dhe me përgjegjësi për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike. “Identiteti biometrik është një nga infrastrukturat më kritike të një shteti modern. Nuk është thjesht karta që mbajmë në portofol apo pasaporta që përdorim kur udhëtojmë, por mekanizmi përmes të cilit shteti garanton identitetin e qytetarëve, sigurinë e lëvizjes së tyre dhe gjithmonë e më shumë sigurinë e marrëdhënies së tyre me administratën, bankat dhe bizneset”, tha ministri.
Sipas tij, përgjegjësia e IdentiTek shkon përtej prodhimit të dokumenteve, duke përfshirë sigurinë, besueshmërinë dhe përputhjen e sistemit të identifikimit me standardet më të larta ndërkombëtare.
Duke iu referuar “Future Tech 2026”, Demo vlerësoi krijimin e një ekosistemi ku bashkohen kompanitë e teknologjisë, universitetet, tregu i punës, sipërmarrësit dhe aktorët e rinj të financimit. “Ne nuk mund të flasim për teknologjinë kur nuk mund të flasim për brezat që vijnë më pas”, u shpreh ai, duke e cilësuar bashkëpunimin mes universiteteve, kompanive dhe tregut të punës si një imperativ për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Në përfundim, ministri Demo falënderoi organizatorët dhe bizneset pjesëmarrëse, duke e lidhur zhvillimin e teknologjisë me konkurrueshmërinë e vendit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. “Suksesi juaj është suksesi i Shqipërisë”, u shpreh Demo, duke uruar pjesëmarrësit për një panair të mbarë dhe një mision të suksesshëm në zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.