Pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, projektligji i PS: Koeficient 0.38 ndaj pagës së Presidentit
Në limit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, vetëm një ditë para mbylljes së sesionit parlamentar, mazhoranca socialiste ka depozituar në Kuvend ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Drafti reflekton detyrimet e lindura për pagat e tyre, pas vendimit të trupës më të lartë të drejtësisë. Në relacionin shoqërues, socialistët pohojnë se për referencë kanë marrë pagën e Presidentit të Republikës, me koeficient 0.38.
Grupi Parlamentar i PS: “Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.38 me pagën e Presidentit të Republikës. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave, jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit. Niveli i indeksimit, në çdo rast, nuk kalon një pikë përqindje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë”.
Objektivi i Bankës së Shqipërisë për inflacionin është 3%, që do të thotë se indeksimi nuk mund të jetë më shumë se 3.1%. Rritja e kërkuar nga magjistratët, kur iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, ishte ndjeshëm më e lartë, çka atëherë solli edhe reagimin e Kryeministrit Rama.
Socialistët arsyetojnë se, me koeficientin e vendosur në dokument, kanë ruajtur balancën mes proporcionalitetit të pagave në sektorin publik dhe evitimit të pasojave të rënda për financat e shtetit.
Grupi Parlamentar i PS: “Lidhur me koeficientin 0.38, është përcaktuar si rezultat i një vlerësimi të balancuar ndërmjet nevojës për forcimin e garancive materiale të pavarësisë së magjistratëve dhe detyrimit për të respektuar parimet e proporcionalitetit, qëndrueshmërisë dhe koherencës së sistemit të pagave në sektorin publik, pasi magjistrati më i thjeshtë, në gjykatat e rrethit, barazohet në pagë me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, ose në koeficient në masën 0.91 të pagës së Presidentit. Ky nivel konsiderohet i mjaftueshëm për të përmbushur objektivin e projektligjit, pa krijuar pabarazi të pajustifikuara ose pasoja joproporcionale për financat publike”.
Ndryshimet ligjore do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, por i shtrijnë efektet financiare prej datës 01.04.2023, sipas përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.