Panathinaikosi vuan, por mposht Baskonian 85-79 në EuroLeague, vendosin Francisco dhe Yabusele në finale
"Të gjelbrit" e Zeljko Obradovic-it panë Baskonian të barazonte 79-79 një minutë e 27 sekonda para fundit, por dy tripoja radhazi të Sylvain Francisco-s dhe Guerschon Yabusele-s i dhanë Panathinaikos-it fitoren e gjashtë në shtatë ndeshje të EuroLeague.
Panathinaikosi iu desh të djersinte deri në sekondat e fundit për të marrë fitoren e gjashtë në shtatë ndeshje të EuroLeague. Të enjten në mbrëmje, në “Telekom Center Athens”, “të gjelbrit” mposhtën 85-79 Baskonian spanjolle, siç njofton ebasket.gr, në një ndeshje që u kthye në thriller në periodën e fundit.
Baskonia e nisi më mirë dhe e mbylli periodën e parë përpara 21-20, ndërsa Panathinaikosi, pavarësisht 14 pikëve të Nigel Hayes-Davis-it në pjesën e parë dhe problemeve nga perimetri (vetëm 2 nga 13 tripoja në pjesën e parë), shkoi në pushim përpara 43-40.
Në pjesën e dytë, me Mathias Lessort-in dominues nën kosh — ai e mbylli ndeshjen si shënuesi më i mirë i vendasve me 20 pikë dhe 6 kërcime — Panathinaikosi u shkëput 57-47 në minutën e 26-të dhe e mbylli periodën e tretë 63-54. Por Baskonia u rikthye, kaloi përpara 70-69 në minutën e 34-të dhe barazoi 79-79 vetëm 1 minutë e 27 sekonda para fundit.
Atëherë folën lojtarët e mëdhenj të trajnerit Zeljko Obradovic: Sylvain Francisco shënoi tripojen e 82-79 dhe menjëherë më pas Guerschon Yabusele shënoi një tjetër tripojë nga 6,75 metra, duke vulosur rezultatin përfundimtar 85-79. Lajmi tjetër i madh i mbrëmjes për vendasit ishte rikthimi i Kendrick Nunn-it, që luajti ndeshjen e tij të parë europiane të sezonit pas dëmtimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.