Anne Carson fiton Çmimin Nobel në Letërsi 2026
– Poetja dhe eseistja kanadeze Anne Carson është fituese e Çmimit Nobel në Letërsi 2026, njoftoi sot Akademia Suedeze.
Çmimi iu dha për “veprën e saj të guximshme dhe shpikëse, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.
Carson, e lindur në vitin 1950 në Toronto, është një nga zërat më të veçantë të letërsisë bashkëkohore. Formimi i saj si klasike dhe studiuesja e letërsisë së lashtë greke është ndërthurur gjatë gjithë krijimtarisë me poezinë, prozën, përkthimin dhe esenë.
Ndër veprat e saj më të njohura është “Autobiography of Red” (1998), një roman në vargje i frymëzuar nga poeti i lashtë grek Stesihor dhe miti i Geryonit. Në krijimtarinë e saj përfshihen gjithashtu “The Beauty of the Husband”, “Nox”, “Float” dhe “Wrong Norma”.
Shkrimtarja është e njohur për ndërthurjen e zhanreve dhe për mënyrën se si sjell traditën klasike në një kontekst bashkëkohor, duke bashkuar poezinë, prozën, dialogun dhe përkthimin. Ajo ka bashkëpunuar edhe me artistë pamorë, koreografë dhe krijues të teatrit e operës.
Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2026 është me vlerë 12 milionë korona suedeze.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.