Paradoksi fiskal I Rames: mes parimeve te se majtes dhe barres tatimore mbi qytetaret!

Në teorinë politike, e majta supozohet të jetëmbrojtësja e shtresave të varfra, e punëtorëve, pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Ajo predikon drejtësi sociale nëpërmjet taksimit progresiv dhe rolit parësor të shtetit në shpërndarjen “e drejtë” te pasurisë.
Por si përputhen këto parime me politikat fiskale të qeverisë së Edi Ramës gjatë 14 viteve në pushtet?
Le t’i shohim faktet.
Në vitin 2014, qeveria Rama e rriti tatimin mbi fitimin nga 10% në 15%, dhe vendosi sistemin progresiv të tatimit mbi pagat.
Në vitin 2019, ndërkohë që të ardhurat nga puna vazhdonin të tatoheshin me norma deri në 23%, qeveria uli tatimin mbi dividendin nga 15% në vetëm 8%.
Pra, u lehtësua tatimi mbi fitimet që shpërndahen te pronarët dhe aksionarët, ndërkohë që pagat më të larta vazhdonin të përballeshin me norma më të mëdha tatimore.
Dhe tani, me propozimet fiskale për vitin 2027, diskutohet rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21%, rritja e normës më të lartë të tatimit mbi pagat në 32% dhe rikthimi i tatimit mbi dividendin në 15%.
Vetëm një pikë përqindjeje TVSH më shumë?
Këtu fshihen detaje që shpesh humbasin në debatin publik.
Rritja e TVSH-së nga 20% në 21% nuk është një rritje prej 1% e vetë tatimit, por një rritje prej 5% e shumës së TVSH-së që paguhet!
Matematikisht, llogaritja është e thjeshtë:
(21 − 20) ÷ 20 × 100 = 5%.
Për një produkt me çmim 1,000 lekë para TVSH-së, tatimi rritet nga 200 në 210 lekë. Pra, shteti mbledh 5% më shumë TVSH për atë produkt, ndërsa çmimi për konsumatorin rritet nga 1,200 në 1,210 lekë, ose rreth 0.83%.
Por, për një familje që shpenzon pothuajse 100% të të ardhurave për nevojat e përditshme kjo rritje ka peshë të madhe.
Një familje me të ardhura të larta mund të kursejë, investojë apo të shtyjë shpenzime të caktuara. Familja e varfër nuk e ka këtë luks. Ajo duhet të blejë bukë, qumësht, ushqime, veshje, të paguajë energjinë, transportin dhe faturat.
Dhe kur rritjes së TVSH-së i shtohet inflacioni, efekti mbi fuqinë blerëse bëhet edhe më i ndjeshëm.
Për shembull, një produkt që kushton 1,200 lekë, me TVSH 20%, do të kushtonte 1,210 lekë nëse TVSH-ja rritet në 21%, me çmimin bazë të pandryshuar. Nëse ndërkohë çmimi para tatimit rritet edhe 5%, kostoja për konsumatorin shkon në 1,270.5 lekë.
Pra, nuk është vetëm tatimi. Është efekti i kombinuar i tatimit dhe inflacionit.
Po çfarë bëjnë vendet e tjera me ushqimet bazë?
Në Maqedoninë e Veriut, shumë ushqime bazë tatohen me TVSH vetëm 5%.
Në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, shumë ushqime bazë kanë TVSH 0%.
Në Itali dhe Spanjë, kategori të rëndësishme ushqimore tatohen me 4%, në Francë me 5.5%, ndërsa në Gjermani me 7%.
Kjo ngre një pyetje të natyrshme: përse një familje shqiptare, me të ardhura shumë më të ulëta se një familje britanike apo gjermane, duhet të përballojë një normë kaq të lartë tatimi mbi ushqimet e domosdoshme?
Është e vërtetë se projektpaketa fiskale e vitit 2027 parashikon uljen e TVSH-së për ushqimet bazë në 6%.
Por lindin pyetje të tjera: Aa do të ulen realisht çmimet në dyqane dhe sa nga kjo ulje do të neutralizohet nga inflacioni apo rritja e taksave të tjera?
Dhe këtu qëndron paradoksi i taksimit të familjeve të varfra.
Një pensionist me 25,000 lekë në muaj dhe një individ me të ardhura 250,000 lekë paguajnë të njëjtën TVSH kur blejnë të njëjtin produkt.
Por për pensionistin, kjo taksë zë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tij.
Për familjet që jetojnë nga paga në pagë ( të cilat përbëjne rreth 80% të vendit) nuk ka rëndësi vetëm sa rritet paga nominale. Rëndësi ka sa bukë, qumësht, energji dhe shërbime mund të blejnë me të.
Dhe mbi këtë barrë shtohen tatimi mbi të ardhurat nga puna, kontributet dhe TVSH-ja.
Pas 13 vitesh qeverisjeje, debati mbi politikat fiskale të Edi Ramës përmblidhet lryesisht mbi rritjen e barrës fiskale. Politikat e tij kanë ulur fuqinë reale blerëse, rriturr barrën e taksave dhe disbalancuar shpërndarjen e fitimeve me kah pozitiv nga oligarkia.
Sepse për një pensionist që mezi përballon fundin e muajit, inflacioni nuk është një përqindje në raportin e INSTAT-it.
Në fund të fundit, një qeveri nuk bëhet sociale vetëm sepse e quan veten të majtë. Karakteri social i politikave të saj matet nga mënyra se si trajton ata që kanë më pak, jo vetëm nga sa para arrin të mbledhë në buxhet.
Dhe pyetja që mbetet pa përgjigje nga qeveria, pas 14 vitesh tepsi pushteti total është kjo:
Ku mbetēn premtimet elektorale të 14 viteve? A po ndërtojmë një sistem fiskal ku barra shpërndahet sipas mundësisë për të paguar, apo një sistem ku ata që mezi sigurojnë jetesën vazhdojnë të paguajnë proporcionalisht më shumë nga oligarkët nga të ardhurat e tyre për konsumin e domosdoshëm?
Shkrime nga Nevrus Nazarko — të gjitha shkrimet e autorit në Opinion →



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.