“Partizani luan dy ndeshje në një ditë”, portieri motivon Lushnjën: Si finale, fitorja dedikim për mbështetësit
Portieri Arbër Jata e konsideron përballjen me Partizanin B si një tjetër finale dhe thotë se fitorja do të ishte dedikim për tifozët lushnjarë.
Në Lushnjë e kanë të qartë objektivin përpara përballjes me Partizanin: rikthimin te fitorja. Një sukses në këtë sfidë do të kishte rëndësi të veçantë për skuadrën lagunare, jo vetëm për të mos humbur kontaktin me dyshen kryesuese, Gramshin dhe Vllazninë, por edhe si një dhuratë për tifozërinë, që po dëshmon vazhdimisht besnikërinë dhe mbështetjen ndaj ekipit të zemrës.
Edhe pse në shtatë javët e para të kampionatit Lushnja ka hasur jo pak vështirësi, kryesisht për shkak të disa mangësive në organikë dhe vështirësive të përshtatjes me kategorinë inferiore, skuadra beson se mund të reagojë.
Në prag të ndeshjes, portieri Arbër Jata ka theksuar se grupi është i motivuar për të marrë tri pikët, duke e konsideruar këtë takim si një tjetër finale të kampionatit. Madje, sipas tij, fitorja do të kishte një dedikim të veçantë për tifozët lushnjarë, të cilët nuk e kanë braktisur skuadrën as në momentet më të vështira.
PORTIERI JATA –
“Mungesa e fitores në dy javët e fundit ka shtuar përgatitjet dhe përgjegjësinë tonë si skuadër. Përballë Partizanit duam të hyjmë në fushë me një ide të qartë, të fitojmë ndeshjen. E kemi vlerësuar si një finale të radhës dhe duam të shpërblejmë jo vetëm veten, por t’i bëjmë një dedikim të veçantë tifozërisë lushnjare. U detyrohemi shumë, pasi na qëndrojnë pranë, na mbështesin vazhdimisht edhe gjatë stërvitjeve dhe bëjnë sakrifica për të na ndjekur në transfertë.
Për më tepër, gjejnë mënyra për të na mbështetur edhe në kushtet kur luajmë në një stadium të boshatisur. Besojmë maksimalisht te fitorja dhe duam t’ua shpërblejmë këtë përkushtim. Do të konsideroja pozitiv edhe një tjetër detaj, që lidhet me zhvillimin e dy ndeshjeve të kundërshtarit tonë në të njëjtën ditë.
Kjo i heq mundësinë ekipit B të Partizanit të aktivizojë futbollistë nga Kategoria Superiore. Është një çështje që është kontestuar shpesh nga skuadrat e kësaj kategorie, pasi aktivizimi i lojtarëve cilësorë nga ekipi i parë mund të prishë ekuilibrat dhe të ndikojë në barazinë e garës. Megjithatë, në çdo rrethanë, Lushnja do të luajë vetëm për fitoren ndaj Partizanit”, përfundoi portieri kuksian i verdhejeshilëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.