Pas 23 ditësh protestë, organizatorët publikojnë 5 kërkesat kryesore
Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 23-të, grupi organizator ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku ka bërë publike pesë kërkesat kryesore të lëvizjes.
Deklarata u lexua nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili tha se ishte autorizuar nga grupi koordinues i protestës për të folur në emër të organizatorëve dhe protestuesve.
Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe qytetarëve dhe mbështetësve, Goxhaj deklaroi se grupi koordinues, pas dëgjimit të propozimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve gjatë 22 ditëve të protestës, ka hartuar një deklaratë për të sqaruar qëllimet dhe kërkesat e lëvizjes.
Në këtë kuadër, grupi organizator ka bërë publike kërkesat e plota drejtuar qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke paraqitur pesë pikat kryesore që, sipas tyre, përfaqësojnë qëndrimin dhe objektivat e protestës.
Deklaratë e Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së
“Përshëndetje bashkëkombas, bashkëqytetarë dhe bashkëprotestues. Për të gjithë ju, sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës të lexoj një deklaratë në emër të tyre.
Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit, si gjithë bashkëkombasit tanë, qofshin ata të pranishëm fizikisht apo ata që na mbështesin me zemër dhe me mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre. Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve.”
Kështu e mbylli fjalën e tij Dritan Goxhaj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.