Pasuritë e gjyqtarëve, amerikanët dhe gjermanët ndajnë detyrat
Orë vendimtare për ndarjen e drejtësisë nga korrupsioni, krimi dhe paaftësia. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, sikundër është parashikuar në Kushtetutën e re dhe specifikuar në ligjin e Vetingut, do të ketë rol të rëndësishëm në skanimin e trefishtë të prokurorëve dhe gjyqtarëve, gjithnjë duke asistuar institucionet e rivlerësimit.
Ekspertët amerikanë dhe gjermanë, kryesisht të drejtësisë penale, por edhe të fushatave të tjera, kanë nisur lëvizjet për hetimin dosjeve, me dokumentacionin dhe të dhënat, për gjyqtarët dhe prokurorët, për ligjshmërinë e pasurive dhe ligjet e papërshtatshme me krimin.
Skuadra e ekspertëve do të asistohet nga një ekip prej 30 asistentësh për mbledhjen, sistemimin dhe shqyrtimin e provave të mundshme. Shqiptarja.com ka mësuar nga misionet e BE-SHBA në Tiranë se, ekspertët amerikanë dhe gjermanë kanë vendosur që të ndajnë detyrat sa i takon kontrollit.
Edhe se nuk ka asnjë garanci nëse Gjykata Kushtetuese do t’a konfirmojë apo jo ligjin e Vetingut, ekspertët amerikanë do të merren me kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të gjitha dëshmitë, të dhënat nga institucionet shqiptare dhe shërbimet partnere do të kalojnë në dorën e tyre.
Vlerësimi i amerikanëve pritet të jenë përcaktues edhe për vendimin e Komisionit të Vlerësimit dhe Kolegjit të Apelimit për fatin e gjyqtarit dhe prokurorit. Ky është edhe meraku më i madh i opozitës shqiptare, e cila ankimoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese, raporton shqiptarja.com.
Roli i gjermanëve
Përfaqësuesit gjermanë do të marrin në dorë dosjet e pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ekipi gjerman pritet të drejtohet nga Reinhard Priebe, i cili mban postin e Drejtorit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave dhe Korrupsionit në Bruksel.
Priebe drejton edhe zyrën të posaçme, e ngritur në Bruksel, ku do të përgatiten dosjet për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë. Të gjitha lëvizjet janë në funksionit të aksionit të verifikimit dhe hetimit të pasurive, që do të nisë javën e dytë të muajit nëntor, që përkon edhe me përfundimin e afatit për prokurorët dhe gjyqtarët, për dorëzimin e deklaratave të pasurive, bashkëngjitur me dokumentacionin justifikues, pranë ILDKP.
Në të njëjtën kohë, në Tiranë kanë zbarkuar disa ekspertë gjermanë, të cilët do të trajnojnë institucionet shqiptare mbi vlerësimin e impaktit të legjislacionit. Trajnimet do të nisin në datën 22 tetor. I gjithë ky angazhim i superfuqisë së Evropës dhe superfuqisë së botës janë një mesazh i qartë edhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët duhet të vendosin për fatin e ligjit të Vetingut.
Nis dorëzimi i pasurive
Pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive mësohet se kanë mbërritur deklaratat e para të pasurisë, bashkë më dokumentacionin shoqëruar, nga disa subjekte vlerësimi. Edhe pse afati për dorëzimin e deklaratave të pasurisë, në kuadër të zbatimit të ligjit të Vetingut, është deri në fund të javës së parë të muajit nëntor, disa prokurorë dhe gjyqtarë kanë shpejtuar, duket zbatuar detyrimet e parashikuar në ligj.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për disa subjekte vlerësimi me pasuri modeste, por që gjithsesi do të jenë objekt i një hetimit të plotë nga ana e ILDKP. Ky i fundit do të kërkojë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dokumentet për pasuritë në pronësi të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta, dokumentet që përdoren jashtë shtetit nga subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta, ose të dhënat financiare mbi çdo transaksion financiar brenda ose jashtë vendit.
Sipas ligjit të Vetingut, ILDKPKI-ja mundëson akses të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura. Por, raporti i diktuar në ligj nuk përfundon këtu, pasi ekspertët e huaj do të bashkëpunojnë me ILDKP për hetimin e plotës të pasurisë së subjektit.
Dokumentet dhe të dhënat në duart e ekspertëve gjermanë dhe amerikanë
Të dhënat për gjendjen gjyqësore të subjekteve të rivlerësimit.
Dosjet personale të subjekteve të rivlerësimit.
Informacioni i ardhur nga DSIK.
Informacioni i ardhur nga Pastrimit i Parave.
Informacioni i grumbulluar nga shërbimet partnere.
Të dhënat statistikore, dokumentet ligjore, dosjet e zgjedhura për vlerësim.
Mendimet e eprorëve, të dhënat mbi trajnimet.
Ankesat ndaj personave që i nënshtrohen vlerësimit dhe rezultatet e verifikimit.
Akses në llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet,
Të dhënat për hyrje-daljet në kufi.
Të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme të subjektit të rivlerësimit.
Instrumente të tilla si kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat.
Të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi.
Të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike.
Të dhënat që provojnë ekzistencën e trusteve ose marrëveshjeve të tjera të ngjashme.
Të dhënat mbi të drejta ose interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset.
Informacionin e bankave mbi depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera.
SHBA BE te sjellin NATO ne Tirane dhe te bombardohen hajdutet dhe kriminelet ne Tirane.