Politika

PD akuzon qeverinë për grabitjen e ish-pronarëve

Partia Demokratike, akuzon qeverinë Rama se me një vendim të mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave, vulosi grabitjen e pronës se pronarëve të ligjshëm, në shkelje të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi disa pika të rëndësishme të ligjit një vit më parë.
Sipas PD-së, Qeveria vendosi këtë javë që pronarëve, të cilët nuk përfitojnë kthimin fizik të pronës së rrëmbyer padrejtësisht gjatë regjimit komunist, t’u kompensojë financiarisht deri në 20 përqind të vlerës totale të pronës dhe, në çdo rast, jo më shumë se 10 milionë lekë. Sipas opozitës, vendimi parashikon që ky kompensim financiar, jo më shumë se 10 milionë lekë, do të shpërndahet në 10 vite me një këst prej maksimumi 1 milion lekësh në vit.
Deputetja e PD tha të shtunën se “Kompensimi i jo më shume se 20 përqind e vlerës së pronës apo kompensimi me jo më shumë se 1 milionë lekë gjatë 10 vjetëve është përbuzja më e madhe për pronarët që qeveria Rama e bën në dhunim të plotë të së drejtës së patjetërsueshme për pronën. Vendimi i të mërkurës zbulon propogandën dhe mashtrimin e pronarëve nga Edi Rama! Pika kryesore e ligjit të tij të pronave ishte shpërndarja çdo vit e 50 mln USD. Në 10 vjet shuma do të ishte 500 milionë USD, me të cilën qeveria pretendonte të mbyllte përfundimisht problemin e pronave.Por Rama e shkeli edhe ligjin e vet grabitqar sapo nisi zbatimin e tij. Nga 50 milionë dollarët e premtuar, në buxhetin e vitit 2018 për pronarët ka vetëm 20 mln USD” tha zonja Tabaku.
Sipas saj qeveria Rama ne 4 vite ka miratuar ligje në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe të drejtën e pronës. Zonja Tabaku ndërkaq citon ligjin për Investimet Strategjike, që ju shërben sipas saj interesave të oligarkëve, por edhe ligjin për kompensimin e pronave. “Partia Demokratike i qëndron bindjes së saj se ligji është antkishtetues dhe garanton pronarët e ligjshëm se ditën e parë që shqiptarët do t’i besojnë shumicën në Kuvend do t’i zhbëjë këto vendime antikushtetuese që dëmtojnë interesat e ligjshme të pronarëve.Shqiptarët dhe veçanërisht pronarët e kanë të qartë se qeveria e Edi Ramës nuk mendon as për pronarët të cilëve shteti Shqiptar u ka detyrimin e uzurpimit dhe marrjes dhunshëm të pronës së tyre, as për interesat e qytetarëve shqiptar. Edi Rama shkel Kushtetutën për drejtësinë për interesat e veta kriminale dhe shkel Kushtetutën për të drejtat dhe liritë themelore të njëriut në favor të interesave të oligarkëve pranë tij” tha deputetja Jorida Tabaku.
Partia Demokratike thote se këto ligje antikushtetuese, afrojnë më shumë fundin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button