PD nuk po e përçan protestën, por po e përthith atë
Nga Mero Baze
Sot, që në mes të protestuesve u shtuan në mënyrë demonstrative mbështetësit e Partisë Demokratike dhe duket se pati një lloj tensioni dhe thirrje për të mos u përçarë, disa aktivistë shtuan thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa aktivistët e PD përdornin një megafon të tyre për t’u fokusuar tek thirrjet kundër qeverisë.
PD, e cila i është bashkuar sot plotësisht protestës, do të përpiqet të ndryshojë narrativën e protestës që ka të bëjë me Shqipërinë e re dhe betejën kundër Ramës e Berishës.
Pra do ta kthejë atë vetëm në një protestë antiqeveritare. E përforcuar me aktivistë të Vetëvendosjes që janë vetëm anti-Ramë dhe skuadra nga diaspora, PD është e qartë në strategjinë për të sunduar në shesh.
Nëse ia arrin kësaj, ajo nuk e përçan protestën, por e privatizon atë dhe, në kushtet kur protesta nuk ka udhëheqës të deklaruar, fjala “përçarje” nuk ka kuptim.
Ata që duhet të zëvendësojnë opozitën duhet të kenë dhe guximin për të qenë figura publike.
Ekipi që ka kërkuar dje në emër të protestës ndryshime në Kodin Zgjedhor përmes një referendumi, është një rrjet i vjetër OJQ-sh në Shqipëri, të vjetër sa Rama e Berisha, që janë shumë të vlefshëm si aktivistë, por jo si udhëheqës politikë.
Partitë e vogla që kanë tentuar të identifikohen me kauzë të njëjtë me protestën, pra me moton “Rama në burg, Berisha në burg”, as kanë fuqi ta privatizojnë protestën, as kanë fuqi ta ndalojnë PD-në ta privatizojë atë.
Kështu që në këto rrethana nuk kemi përçarje të protestës. Kemi një përthithje të saj nga PD, e cila ka guximin të dalë në shesh dhe aty ku thirret “Berisha në burg”, në fillim për ta relativizuar atë dhe më pas për ta zhdukur nga qarkullimi.
Kjo natyrisht që është një goditje për frymën qytetare të protestës, por nuk është se ka përçarë atë lëvizje. Thjesht është duke e mundur atë, për shkak të pasigurisë që ata kanë për ta përfaqësuar protestën.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.