Politika

PD: Vrasjet e fundit, për pazare droge. Rama kërkon t’i mbulojë

Partia Demokratike, përmes sekretarit të Aksionit Qytetar, Ervin Salianji ka ngritur sërish shqetësimin se droga është një krim që ka sjellë rritjen e ndjeshme të kriminalitetit në vend.

“Kemi denoncuar mbulimin e vendit me kanabis dhe ruajtjen e parcelave me banda të armatosura, si një biznes kriminal që jo vetëm po mbyt ekonominë e ndershme edh po shfrytëzon asetet e vendit, por edhe si një tension i lartë social, si burim konlfiktesh, armiqësish e hasmërish”, ka deklaruar Salianji.

Ai ka theksuar se, dy vrasje të ndodhura këtë muaj janë qartësisht të lidhura me kultivimin dhe trafikimin e drogës.

“Elidjan Pashaj nga Mallakastra u vra në Këlcyrë nga një trafikant që kishte zaptuar tokat atje dhe i kishte mbjellë me kanabis. Altin Llani nga Fieri u vra në Tepelenë, pikërisht për tokat e mbjella me kanabis. Shumë përplasje e sulme me armë që po ndodhin pothuajse çdo ditë në vend, në fshatra e qytete, kanë si motiv pikërisht zonat e influencës dhe pazaret e drogës”, ka vijuar eksponenti i PD.

Sipas tij, edhe lufta me armë në mes të Shkodrës dy netë më parë ndodhi për shkak të drogës, por po mbulohet nga qeveria e kryeministrit Rama.

“Edi Rama tenton t’i mbulojë këto ngjarje të rënda me njoftimet e policisë ku rëndom përdoret fjala, “vrasje për motive të dobëta”. Tenton t’i mbulojë, pasi të vrarët, të plagosurit, të dhunuarit janë viktima të fermës së tij të madhe me kanabis. Sepse droga, është motivi i vërtetë i këtyre krimeve”, ka theksuar Salianji.

Ai ka shtuar se, ky biznes kriminal nuk është zgjedhja e shqiptarëve, por zgjedhja e Edi Ramës, “i cili takson me 30 për qind çdo rrënjë të mbjellë”.

“Shqiptarët nuk kanë votuar të sundohen e të urdhërohen nga bandat e Edi Ramës, të shfrytëzohen e rekrutohen prej tyre. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë punë të ndershme, rend dhe siguri. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, ka vijuar sekretari i Aksionit Qytetar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button