PD zgjedh kryetarin më 23 maj, Berisha: Procesi më demokratik. Salianji u vetëpërjashtua
Partia Demokratike do të zhvillojë të shtunën (23 maj) procesin për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj partie, teksa në garë është vetëm kryetari Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp, teksa u pyet rreth kësaj, Berisha tha se procesi është demokratik me parimin një anëtar një votë. Sipas Berishës, prania e kandidatëve të tjerë në garë është e mirëpritur, por shtoi se shpesh ndodh që nuk marrin pjesë kur në garë është kryetari i partisë.
Sipas tij, në 75% të rasteve kur kryetari është në garë, të tjerët zgjedhin të mos konkurrojnë, jo për mungesë mundësie, por sepse “nuk dëshirojnë të angazhohen në një garë ku nuk kanë të sigurt rezultatin”.
“Me datën 23, anëtarët e PD janë të ftuar në një proces ‘një anëtar-një votë’ të shprehin votëbesimin e tyre për Sali Berishën. Dhe me këtë mbyllet në votimin më transparent procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD. Ky proces, duhet të sqaroj, i cili u përfol nga ligësitë në mënyrën më të papërmbajtur, shënon formën më demokratike, procesin më demokratik të zgjedhjes së një lideri partie.
Por, natyrisht prania e kandidatëve është diçka shumë e mirëpritur në këtë proces. Por e vërteta është se në 75 përqind të rasteve kur në garë është kryetari, për fat jo të mirë, të tjerët nuk hyjnë në garë. Pse nuk hyjnë në garë? Jo se nuk mund të hyjnë në garë, mund të hyjnë plotësisht, por sepse nuk dëshirojnë të angazhohen në një garë që nuk kanë të sigurt rezultatin”, tha Berisha.
I pyetur mbi Ervin Salianjin, Berisha tha se ai u vetëpërjashtua nga PD.
“PD është anëtare e të gjitha këtyre institucioneve dhe ai që shkruan letër është një i vetëpërjashtuar nga kjo parti. Por ai natyrisht ka të drejtat e tij, mund të shkruajë letra ku të dojë, është i lirë. Sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin. Ndaj dhe letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës apo ndonjë tjetri, nuk kanë asnjë vlerë për Sali Berishën. Secili mund të shkruajë letra”, theksoi ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.