PDK i bën thirrje Qeverisë: Të dërgohet sa më parë në Kuvend Ligji për Specialen
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që sa më shpejt ta procedojë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Nisma ligjore tashmë i është dërguar Qeverisë për shqyrtim.
Kërkesa është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili tha se Qeveria nuk duhet ta zvarrisë procesin dhe se projektligji duhet të kthehet në Kuvend për shqyrtim dhe votim.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të nisë pa vonesë procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxojë ta zvarrisë këtë proces”, tha Tahiri në një konferencë për media.
Ai kërkoi gjithashtu mbështetje institucionale dhe financiare për ekipet mbrojtëse dhe u bëri thirrje partive politike për, siç tha, maturi dhe përgjegjësi në këtë proces.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se ndryshimet e propozuara, sipas tij, nuk cenojnë detyrimet që Kosova ka marrë përmes amendamenteve kushtetuese dhe marrëveshjes së ratifikuar me Bashkimin Evropian.
Gruda argumentoi se projektligji synon të krijojë mundësi për trajtimin e çështjeve të caktuara juridike brenda sistemit të Kosovës. Ai kërkoi që Qeveria ta procedojë sa më shpejt nismën në Kuvend.
Kjo kërkesë vjen një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte dërguar për mendim në Qeveri më 25 shtator. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.