Peleshi pret delegacionin e Bundestagut: Gjermania mbështetje kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kuvendin e Shqipërisë Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Turizmin të Bundestagut gjerman, Anja Karliczek, dhe anëtarët e delegacionit që po vizitojnë vendin tonë.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, të cilat mbështeten edhe nga një bashkëpunim intensiv parlamentar ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut në të gjitha nivelet.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua pjesëmarrjes aktive të delegacionit gjerman në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe anëtarësimin e Shqipërisë, e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.
Sipas Peleshit, kjo pjesëmarrje përbën një tjetër dëshmi të partneritetit të fortë dhe mbështetjes që Gjermania i jep procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Në një reagim në rrjetet sociale pas takimit, Kryetari i Kuvendit theksoi se mbështetja e Gjermanisë për zhvillimin, demokratizimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, mbi bazën e meritës, mbetet një inkurajim i rëndësishëm për institucionet shqiptare në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Peleshi nënvizoi gjithashtu potencialin e madh që ka turizmi për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Sipas tij, zhvillimi i këtij sektori mund të krijojë mundësi të reja partneriteti jo vetëm në turizëm, por edhe në ekonomi, transport, infrastrukturë, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e lidhjeve mes qytetarëve të dy vendeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.