Përfshihet nga flakët gjatë natës një automjet në aksin Kardhiq-Delvinë, plagoset rëndë drejtuesi i mjetit
Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, ku për pasojë është plagosur rëndë një person.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Skërficë”, ku dyshohet se automjeti ka marrë zjarr në ecje. Bëhet fjalë për një mjet tip “Volkswagen Touran”, me drejtues shtetasin M.Dh., 37 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Fterrë.
Nga zjarri ka pësuar djegie të rënda drejtuesi i mjetit, të cilit i kanë ardhur fillimisht në ndihmë kalimtarë të rastit. Njëri prej tyre, një qytetar nga Saranda, S.A., i cili vinte nga Tirana, ka arritur të shuajë flakët në trupin e 37-vjeçarit duke i hedhur xhupin e tij. Njëkohësisht, ai ka njoftuar spitalin dhe shërbimet e qarkullimit rrugor.
Pas ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, 37-vjeçari u transportua me ambulancë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar, pasi ka pësuar djegie të shkallës së tretë.
Për shuarjen e zjarrit u desh ndërhyrja e zjarrfikëses, nërsa policia ka nisur hetimet për ngjarjen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.