ARRU publikon tarifat e ujit për vitin 2027, zbatimi nis nga 1 janari
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) njofton publikun për publikimin e urdhëresave tarifore për vitin 2027, të miratuara në kuadër të Procesit Tarifor 2026–2028.
Sipas një njoftimi për media thuhet se urdhëresat përcaktojnë tarifat për shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm, shërbimet e ujërave të ndotura, furnizimin me ujë të trajtuar me shumicë dhe furnizimin me ujë të patrajtuar me shumicë, për shtatë Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU) në Kosovë, si dhe për ndërmarrjen “Ibër- Lepenc”.
Tutje në njoftim thuhet se përmes këtij procesi, ARRU vazhdon përmbushjen e mandatit të saj rregullator, duke synuar përcaktimin e tarifave të arsyeshme, transparente dhe në përputhje me nevojat e sektorit.
“Qëllimi është të ruhet ekuilibri ndërmjet mbrojtjes së interesit të konsumatorëve, përballueshmërisë së faturave dhe mbulimit të kostove të arsyeshme të ofrimit të shërbimeve, si parakusht për funksionimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjeve të licencuara”, thuhet në njoftim.
“Tarifat si mekanizëm për qëndrueshmërinë e sektorit. Përcaktimi i tarifave për vitin 2027 është mbështetur në analizën e kostove të ofrimit të shërbimeve, nevojave operative dhe investuese të ofruesve, si dhe objektivave për përmirësimin e performancës së tyre. Në këtë proces janë marrë parasysh faktorët që ndikojnë në shpenzimet e ndërmarrjeve, përfshirë kostot e energjisë elektrike, mirëmbajtjen e infrastrukturës, si dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim tarifat e miratuara synojnë të krijojnë kushte më të qëndrueshme për operimin e ofruesve të shërbimeve dhe përmbushjen e detyrimeve të tyre ndaj konsumatorëve.
“Njëkohësisht, ato duhet të mbështeten në parimin që kostot e njohura nga rregullatori të jenë të arsyetuara dhe të ndërlidhura me ofrimin efikas të shërbimeve, duke mbrojtur interesin publik dhe duke shmangur ngarkesat e pajustifikuara për konsumatorët”.
Ndërkaq, në njoftim thuhet se një aspekt i rëndësishëm i Procesit Tarifor 2026–2028 është avancimi i metodologjisë së tarifimit dhe zbatimi i parimeve që synojnë një shpërndarje më të drejtë të kostove të shërbimeve.
“Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë ka zbatimi i parimit ‘ndotësi paguan’, sipas të cilit kostot që lidhen me ndotjen duhet t’i atribuohen ndotësit në mënyrën e duhur, në përputhje me kuadrin rregullator dhe metodologjinë përkatëse. Ky parim synon të rrisë përgjegjësinë për ndotjen e mjedisit, të përmirësojë transparencën në përcaktimin e kostove të shërbimeve të ujërave të ndotura dhe të kontribuojë në përdorimin më të përgjegjshëm të burimeve ujore. Zbatimi i tij duhet të mbështetet në kritere të qarta tarifore, trajtim të drejtë të kategorive të konsumatorëve dhe informim të përshtatshëm të publikut”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se procesi Tarifor 2026–2028 është zhvilluar përmes analizave rregullatore dhe konsultimeve me ofruesit e shërbimeve dhe palët përkatëse të interesit.
“Kjo qasje synon të sigurojë që vendimet tarifore të mbështeten në të dhëna, nevoja të arsyetuara dhe vlerësime të qëndrueshme, duke forcuar transparencën dhe llogaridhënien në sektorin e shërbimeve të ujit”.
Ndërkaq, siç thuhet në njoftim ARRU vlerëson se rregullimi tarifor nuk përfundon me miratimin e tarifave, por duhet të shoqërohet me monitorimin e vazhdueshëm të performancës së ofruesve, përdorimin efikas të burimeve financiare dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët. Për këtë arsye, zbatimi i tarifave duhet të shoqërohet me angazhim të vazhdueshëm të ndërmarrjeve për rritjen e efikasitetit operacional, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve.
Po ashtu bëhet e ditur se ARRU i kushton rëndësi informimit të drejtë dhe transparent të konsumatorëve lidhur me tarifat e miratuara dhe ndikimin e tyre në faturat mujore.
“Për këtë qëllim, urdhëresat tarifore për vitin 2027 dhe të dhënat e detajuara për tarifat e miratuara janë në dispozicion në ueb-faqen zyrtare të ARRU-së: www.arru-rks.org. Tarifat e miratuara për vitin 2027 do të zbatohen nga 1 janari 2027, në përputhje me urdhëresat përkatëse. ARRU do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e saj rregullator në funksion të një sektori të ujit financiarisht të qëndrueshëm, ekonomikisht efikas dhe të orientuar drejt ofrimit të shërbimeve cilësore për të gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.