Përplasja për Ibrin, SHBA: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pjesë e domosdoshme e paqes në Ballkan
Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon shmangien e tensioneve në rajon pas tensioneve të krijuara lidhur me një deklaratë të presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me ndryshmin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër.
SHBA ka theksuar rëndësinë që ka normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha zëdhënësi i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
Reagimi amerikan vjen pas shqetësimeve të ngritura lidhur me deklaratën e Vuçiçit, i cili më 9 gusht tha se autoritetet serbe po shqyrtojnë, së bashku me ekspertë, mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Më herët, edhe Bashkimi Evropian ka reaguar për këtë çështje, duke bërë thirrje që të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Brukseli e bëri të qartë gjithashtu se deklaratat për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit Ibër dhe çdo veprim tjetër që nuk e mbështet procesin e normalizimit duhet të shmangen.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, u shpreh zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Debati u ndez pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se autoritetet e Serbisë po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit dhe se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë.
Deklarata shkaktoi reagime të menjëhershme në Tiranë dhe Prishtinë, ndërsa çështja e lumit Ibër u kthye në një debat politik mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, reagoi duke kundërshtuar çdo ide për përdorimin e burimeve ujore si mjet presioni politik. Hoxha iu referua edhe detyrimeve që burojnë nga konventat ndërkombëtare për përdorimin e burimeve ujore ndërkufitare, duke nënvizuar nevojën për respektimin e tyre.
Nga pala serbe, ministri i Jashtëm Marko Gjuriç kundërshtoi reagimin shqiptar, duke e cilësuar çështjen si një problem të brendshëm të Serbisë. Të njëjtën qëndrim mbajti edhe presidenti serb, Vuçiç, i cili tha se “Nuk e di çfarë lidhje ka kjo me Shqipërinë?”.
Përplasja mes dy palëve më pas u zgjerua edhe në debatin për Kosovën dhe pretendimet për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”.
Në këtë debat u përfshi edhe kryeministri Edi Rama, i cili reagoi me tone ironike ndaj zhvendosjes së diskutimit nga çështja e lumit Ibër te pretendimet për “Shqipërinë e Madhe” dhe statusin e Kosovës. Rama theksoi se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe nënvizoi se territori i Republikës së Kosovës dhe burimet natyrore që ndodhen brenda saj nuk mund të konsiderohen territor apo burime të Serbisë.
Pas debatit të ndezur politik në rajon, reagimet nga Uashingtoni dhe Brukseli kanë vendosur theksin te nevoja për shmangien e tensioneve dhe rikthimin e vëmendjes te dialogu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.