Përplasja për pagat e gjyqtarëve, Gogu: Boshllëku ligjor shkaktoi problemin, zgjidhja është në Kuvend me ligj
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar për pagat e magjistratëve, duke theksuar se çdo shpenzim nga buxheti i shtetit duhet të mbështetet në një autorizim të qartë ligjor.
Ministri Gogu tha se problemi me pagat e magjistratëve lidhet me mungesën e bazës ligjore, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, boshllëku do të plotësohet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar, ndërsa qeveria synon që pagat të mos vonohen. Ai kërkoi që çështja të zgjidhet përmes dialogut institucional dhe jo përplasjeve.
Gogu deklaroi se paratë publike janë para të qytetarëve dhe jo të qeverisë, ndaj çdo shpenzim duhet të bëhet në përputhje me ligjin. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Gogu tha se problemi është krijuar për shkak të mungesës së bazës ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, pasi formula e mëparshme është shfuqizuar.
“Paraja publike është para e qytetarëve, jo e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Ky është parimi më i rëndësishëm për të gjithë, vlen për të gjithë njësoj. Këtë përgjegjshmëri që qytetarët presin nga ne, do ta mbrojmë pa asnjë hezitim. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo institucion.
Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjshmëria për zbatimin e buxhetit kërkojnë autorizim të qartë ligjor për ta zbatuar. Këtu na është krijuar edhe problemi. Është boshllëku ligjor shkaku i gjithë situatës në të cilën ne ndodhemi sot. Nuk kemi arritur këtu se dikush kërkoi më shumë dhe dikush kërkoi më pak. Kemi arritur sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Në mungesë të autorizimit ligjor, Ministria e Financave është në pamundësi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gogu.
Ai mohoi se situata është krijuar për shkak të një përplasjeje mbi nivelin e pagave, duke theksuar se çështja lidhet me mungesën e një formule të re ligjore për pagat. Gogu shtoi se, në kushtet e mungesës së këtij autorizimi ligjor, Ministria e Financave nuk mund ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, boshllëku ligjor do të plotësohet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar, dhe bëri thirrje gjithashtu që çështja të mos kthehet në një përplasje mes institucioneve.
“Ky boshllëk ligjor do të plotësohet në Kuvend, në sesionin e ri parlamentar. Detyra ime është që kjo të bëhet sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me përgjegjshmërinë ndaj buxhetit.
Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën, por që çështja të diskutohet në Kuvend në ditët në vijim. Nuk mund të kthehemi në ditët kur ushqejmë konflikt. Ky do të jetë drejtimi ynë dhe kjo do të jetë edhe detyra ime, në rolin që kam, për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje apo keqkuptim të një situate njëherë e përgjithmonë.
Pagat kanë nevojë për autorizim ligjor dhe formulë ligjore, dhe kjo do të nisë menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar. Përpjekjet e qeverisë kanë qenë vazhdimisht që të mos vonohen pagat e gjyqtarëve”, tha ai.
Përplasja nisi pasi KLGJ dhe KLP përcaktuan rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Meqë ndryshimet ligjore nuk u reflektuan nga Parlamenti brenda afatit, dy institucionet vendosën të zbatonin vetë formulën e re të pagave. Thesari më pas nuk kaloi pagesat, duke sjellë përplasjen me Ministrinë e Financave.
Për situatën reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se KLP dhe KLGJ janë “fytyrat” e dështimit të reformës në drejtësi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.