Përshpejtohen dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit, Malaj: Dosjet deri në 1 milion lekë paguhen brenda këstit të radhës
Qeveria shqiptare ka miratuar një skemë të re dhe të lehtësuar për shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, duke synuar t’i japë fund vonesave disavjeçare. Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të mërkurën pasdite, Ministri i Financave, Petrit Malaj, zbardhi detajet e ndryshimeve në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 419, i cili rregullon procesin e dëmshpërblimeve.
Një nga pengesat kryesore burokratike në procesin e pagesave ka qenë ndarja e detyrueshme e dëmshpërblimit në tetë këste të barabarta. Me vendimin e ri, kjo skemë shfuqizohet për një kategori të gjerë përfituesish.
Gjatë deklaratës së tij për mediat, Ministri Malaj theksoi se prioritet do t’u jepet dosjeve që kanë vlera më të vogla të mbetura për t’u shlyer:
“Më konkretisht, Ministria e Financave propozon heqjen e kufizimit për ndarjen e dëmshpërblimit në tetë këste të barabarta. Të gjitha dosjet me vlerë të mbetur për t’u paguar deri në 1 milion lekë, do të likuidohen brenda këstit të radhës.”
Çfarë ndryshon për përfituesit?
Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, kjo ndërhyrje pritet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë për mijëra familje. Aktualisht, fondi vjetor i alokuar për dëmshpërblimet është rreth 1.5 miliardë lekë, por me rregullat e reja, procesi do të njohë një rritje të efikasitetit dhe të vetë fondit të disponueshëm.
Tre përfitimet kryesore të skemës së re janë që brenda një afati 4-5 vjeçar, parashikohet të paguhen plotësisht rreth 6,000 dosje nga 10,360 që janë aktualisht në total në proces pagese.
Nga ana tjetër, intervali kohor i pritjes mes kësteve do të reduktohet ndjeshëm, duke zbritur në rreth 2 – 2.5 vite, nga 3.5 – 4 vite që është aktualisht.
Skema e re do të shoqërohet edhe me një rritje të fondit vjetor të destinuar për dëmshpërblimet.
Përtej shifrave dhe përshpejtimit të burokracisë, kreu i Financave e cilësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm në rivendosjen e drejtësisë për këtë shtresë të shoqërisë.
“Ky vendim synon jo vetëm rritjen e eficiencës së pagesave, por mbi të gjitha përmbushjen e një detyrimi moral ndaj familjeve të të gjithë personave që kanë vuajtur në mënyrë të padrejtë nga regjimi i kaluar,” përfundoi Malaj.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.