☁️
Tiranë 13°C · Vranët 24 Tetor 2026
S&P 500 7,624 ▼0.52%
DOW 52,215 ▼1.23%
NASDAQ 25,955 ▼0.21%
NAFTA 103.27 ▲3.82%
ARI 4,008 ▼1.29%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1201 EUR/GBP 0.8375 EUR/CHF 0.9237 EUR/ALL 90.7475 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5185 EUR/TRY 55.7035 EUR/JPY 175.69 EUR/CAD 1.5682 EUR/USD 1.1201 EUR/GBP 0.8375 EUR/CHF 0.9237 EUR/ALL 90.7475 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5185 EUR/TRY 55.7035 EUR/JPY 175.69 EUR/CAD 1.5682
₿ CRYPTO
BTC $80,387 ▼ -1.32% ETH $2,334 ▼ -2.87% XRP $1.2848 ▼ -1.91% SOL $101.0800 ▼ -2.89%
S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 103.27 ▲3.82 % ARI 4,008 ▼1.29 % S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 103.27 ▲3.82 % ARI 4,008 ▼1.29 %
EUR/USD 1.1201 EUR/GBP 0.8375 EUR/CHF 0.9237 EUR/ALL 90.7475 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5185 EUR/TRY 55.7035 EUR/JPY 175.69 EUR/CAD 1.5682 EUR/USD 1.1201 EUR/GBP 0.8375 EUR/CHF 0.9237 EUR/ALL 90.7475 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5185 EUR/TRY 55.7035 EUR/JPY 175.69 EUR/CAD 1.5682
24 Tet 2026
Breaking
Kronika

Pesë orë gaz, ujë, përplasje dhe kaos! Protestuesit nuk tërhiqen, revolta zhvendoset në rrugët e Tiranës

Tirana i është rikthyer kaosit këtë të shtunë, në ditën e 12-të të protestës studentore, e cila është shndërruar në një mobilizim të gjerë qytetar kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pas tri-katër ditësh gjatë të cilave protestat kishin vijuar, por tensionet kishin rënë ndjeshëm, situata është përshkallëzuar sërish. Prej afro pesë orësh, rrugët e kryeqytetit janë përfshirë nga përplasje të njëpasnjëshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Turma fillimisht u mblodh para Ministrisë së Arsimit rreht orës 14:00, ku pati përplasje me policinë. Më pas protestuesit u zhvendosën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Turma u shtri nga Kryeministria deri te Ministria e Brendshme, duke mbushur një pjesë të konsiderueshme të bulevardit.

Por grumbullimi u shoqërua shpejt me tensione. Policia ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ujë me presion. Nga ana tjetër, gjatë përplasjeve u hodhën gurë në drejtim të forcave të rendit.

Bulevardi u mbulua nga re të dendura gazi, ndërsa protestuesit u shpërndanë në disa drejtime. Një pjesë e tyre u zhvendosën drejt rrugës “Myslym Shyri”, ndërsa grupi më i madh u grumbullua në lulishten e sheshit “Skënderbej”.

Megjithatë, ndërhyrja e policisë nuk i dha fund protestës. Një pjesë e demonstruesve u rikthyen drejt bulevardit, ku u përballën sërish me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Në këtë zonë, disa protestues raportuan edhe ndjesi djegieje në trup pas ndërhyrjes së policisë, duke ngritur dyshime për përbërjen e ujit të përdorur nga automjetet ujëhedhëse. Këto pretendime nuk janë verifikuar.

Ndërkohë, policia përforcoi ndjeshëm praninë pranë Kryeministrisë. Forca të shumta u dislokuan përgjatë bulevardit, ku u vendosën edhe dy automjete ujëhedhëse, ndërsa efektivë të RENEA-s zunë pozicione pranë godinës së qeverisë.

Tensionet u zhvendosën më pas në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori vazhdimisht gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve. Në këtë zonë u panë edhe pjesëmarrës me shkopinj druri në duar, ndërsa forcat e rendit bllokuan një nga daljet e sheshit, pranë selisë së Partisë Socialiste.

Pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme, turma u largua nga sheshi “Skënderbej” dhe mori drejtimin e Ushtarit të Panjohur, duke e zhvendosur protestën në rrugë të tjera të kryeqytetit.

Aktualisht, protestuesit kanë kaluar në zonën e 9-katësheve dhe po marshojnë drejt Parlamentit. Lëvizja e turmës po shoqërohet me vështirësi në qarkullimin e automjeteve, ndërsa trafiku në disa akse është rënduar.

Gjatë protestës janë regjistruar edhe zjarre në kazanët e mbeturinave, të cilët janë përdorur në disa raste si pengesa në rrugë. Tymi, ndërhyrjet policore dhe zhvendosjet e vazhdueshme të protestuesve kanë krijuar një situatë të vështirë për qarkullimin në kryeqytet.

Ajo që e dallon protestën e sotme nga ditët e fundit është rikthimi i përplasjeve intensive dhe shtrirja e tyre në disa zona të Tiranës. Pas një periudhe kur tubimet vijuan me tensione më të ulëta, këtë të shtunë përballjet me policinë kanë marrë sërish përmasa të gjera.

Pavarësisht përdorimit të vazhdueshëm të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, protestuesit nuk janë larguar përfundimisht nga rrugët. Ata janë rigrupuar disa herë dhe kanë vijuar marshimin, duke e zhvendosur protestën nga Kryeministria në sheshin “Skënderbej” dhe më pas drejt zonës së Parlamentit.

Në ditën e 12-të të mobilizimit, studentët vijojnë të refuzojnë ftesat e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke këmbëngulur se kërkesa e tyre është largimi i tij nga pushteti.

Pas afro pesë orësh tensionesh, protesta vijon në lëvizje. Turma po marshon drejt Parlamentit, ndërsa Tirana përballet sërish me bllokime trafiku, ndërhyrje policore dhe tensione që tashmë janë zhvendosur nga njëra rrugë në tjetrën.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.