PIKTURË – Leonardo, Michelangelo, Renoir dhe Klee, artistët që nuk u dorëzuan përballë dhimbjes
– Dhimbja nuk i ndali nga arti. Leonardo da Vinci, Michelangelo, Pierre-Auguste Renoir dhe Paul Klee janë katër artistët e mëdhenj, historitë e të cilëve dëshmojnë për fuqinë e krijimtarisë përballë kufizimeve të shkaktuara nga sëmundjet, shkruan salute.eu.
Historia e tyre vjen përmes dokumentarit “A Soul in Struggle”, prezantuar së fundmi nga Fondacioni Botëror i Sklerodermisë (World Scleroderma Foundation), në Lido të Venecias. Përmes inteligjencës artificiale, filmi rikthen në jetë figurat e artistëve për të ndërgjegjësuar publikun mbi skleroderminë dhe sëmundjet e tjera reumatologjike.
Dokumentari sjell imazhe të Leonardo da Vinçit duke pikturuar me duart e fashuara dhe të Michelangelo-s duke punuar me daltë mbi mermer, pavarësisht dhimbjeve që i shkaktonin vështirësi në lëvizje. Deri në fund të jetës, Michelangelo vazhdoi të punonte për veprën e tij të fundit, “Pietà Rondanini”.
Edhe Renoir, i cili vuante nga artriti që e detyroi të përdorte karrige me rrota, nuk hoqi dorë nga piktura. Ndërsa Paul Klee vazhdoi të krijonte vepra artistike edhe pas diagnostikimit me sklerodermi.
Megjithatë, për Leonardo da Vinçin, Michelangelo-n dhe Renoir-in nuk ekzistojnë studime shkencore që vërtetojnë se ata vuanin nga sëmundje reumatologjike. Të dhënat historike, dëshmitë dhe dokumentet biografike ofrojnë disa të dhëna, por nuk përbëjnë prova përfundimtare mjekësore.
Rasti i Renoir-it është më i dokumentuar. Sipas të dhënave biografike, problemet e tij me artritin nisën rreth moshës 50-vjeçare dhe u përkeqësuan ndjeshëm pas vitit 1903. Në moshën 70-vjeçare, sëmundja e kishte kufizuar rëndë fizikisht. Një fotografi e vitit 1896 tregon qartë ënjtjen e nyjeve të duarve të tij.
Ndërsa Paul Klee mori diagnozën e sklerodermisë, një sëmundje e rrallë dhe kronike që mund të prekë lëkurën, organet e brendshme dhe duart, duke vështirësuar edhe veprimet më të thjeshta të përditshme. Artisti ndërroi jetë më 29 qershor 1940, pesë vjet pas diagnostikimit, ndërsa sëmundja kishte ndikuar në lëvizshmërinë e gishtave dhe funksionin e mushkërive.
Rreth 2,5 milionë persona me sklerodermi në botë
Sipas vlerësimeve të cituara në dokumentar, rreth 2,5 milionë persona në mbarë botën jetojnë me sklerodermi. Në tërësi, njihen më shumë se 100 sëmundje reumatologjike, të cilat në Itali prekin mbi 5 milionë persona.
Përtej ndikimit në shëndet, këto sëmundje kanë edhe pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike. Sipas të dhënave të Observatorit të Shëndetit dhe Shëndetësisë në Itali, kostot e përgjithshme të sëmundjeve reumatologjike kronike tejkalojnë 4 miliardë euro në vit, duke përfshirë shpenzimet e kujdesit shëndetësor dhe humbjet e produktivitetit.
Dokumentari ndërthur historitë e katër artistëve me dëshmi të personave që jetojnë sot me sklerodermi. Përmes përvojave të tyre, ai përcjell mesazhin se sëmundja mund të sjellë dhimbje, kufizime dhe pasiguri, por nuk duhet të përcaktojë identitetin e individit apo të shuajë dëshirën për të jetuar, krijuar dhe ndërtuar të ardhmen.
Inteligjenca artificiale në shërbim të ndërgjegjësimit
Përmes inteligjencës artificiale, “A Soul in Struggle” u jep zë dhe prani artistëve të mëdhenj, duke e afruar publikun me një temë që shpesh trajtohet vetëm nga këndvështrimi mjekësor.
Dokumentari synon të tregojë se, edhe përballë sëmundjeve kronike dhe kufizimeve fizike, njeriu mund të ruajë aftësinë për të krijuar, dashuruar, imagjinuar dhe planifikuar të ardhmen.
Mesazhi i tij përmblidhet në një ide të vetme: sëmundja mund të ndryshojë trupin, por nuk duhet të fshijë personin që qëndron pas saj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.