MAL I ZI – Marta Kos: Shqipëria të ruajë ritmin e reformave drejt BE-së
– Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi sot, në hapje të Samitit të Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi, se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas “RTV Budva”.
Duke u ndalur te Shqipëria, Kos theksoi rëndësinë e ruajtjes së ritmit të përparimit drejt integrimit evropian, ndërsa për Malin e Zi vlerësoi ecurinë në procesin e anëtarësimit, duke e cilësuar atë si vendin që ka përparuar më shumë në këtë drejtim.
“Mali i Zi është vendi që kam vizituar më shumë herë gjatë këtij viti, gjë që është e natyrshme, duke pasur parasysh se ai është në krye të procesit të anëtarësimit në BE”, deklaroi Kos, duke shtuar se është gjithmonë e kënaqur të shohë përparimin e një vendi të vendosur për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian.
Ajo nënvizoi se periudha e ardhshme do të shënojë momente të rëndësishme për vendet e rajonit, ndërsa për Malin e Zi momenti vendimtar do të jetë përfundimi i procesit të anëtarësimit.
“Përpara nesh janë javë dhe muaj me momente vendimtare. Për Malin e Zi, momenti vendimtar do të jetë kalimi i vijës së finishit në procesin e anëtarësimit”, tha komisionerja evropiane.
Sa i përket vendeve të tjera të rajonit, Kos u shpreh se për Serbinë një moment i rëndësishëm do të jenë zgjedhjet e së dielës, ndërsa për Shqipërinë përparësia mbetet ruajtja e ritmit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Për Kosovën, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të rrugës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe shtetin e së drejtës.
“Prandaj, mendoj se është shumë pozitive që udhëheqësit e rajonit, si dhe përfaqësuesit e të gjithë Procesit të Berlinit, janë mbledhur sot në këtë vend të bukur, në Malin e Zi”, përfundoi Kos. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.