PIKTURË – “Nata me yje” e Van Gogut u frymëzua nga qielli i 22 korrikut 1889
ROMË, 25 tetor /ATSH-ANSA/ – Një studim i ri astronomik sugjeron se piktura e famshme “Nata me yje” e artistit holandez Vincent van Gog mund të pasqyrojë një vëzhgim real të qiellit mbi qytetin Saint-Rémy të Francës, në agimin e 22 korrikut 1889.
Sipas studimit, të publikuar në revistën shkencore “Scientific Reports” nga studiues të Universitetit ”Kyung Hee” në Seul, në bashkëpunim me kompaninë koreano-jugore ”Sllab”, konfigurimi i Hënës, planetit Venus dhe grumbullimit yjor përputhet, në vija të përgjithshme, me elementet qiellore të paraqitura në pikturë.
Deri më tani, krijimi i veprës është datuar tradicionalisht në qershor të vitit 1889, bazuar në një letër që Van Gogu i kishte dërguar vëllait të tij, Teos, rreth datës 18 qershor.
Megjithatë, faza e Hënës në atë periudhë nuk përputhet me gjysmëhënën e hollë të paraqitur në pikturë.
Për të shqyrtuar këtë mospërputhje, studiuesit kombinuan simulimet astronomike, matjet e pozicioneve të yjeve, të dhënat historike meteorologjike dhe analizën e letrave të artistit.
Duke u mbështetur edhe në skicat e mëparshme të peizazhit, ata rindërtuan fushëpamjen e ngushtë të paraqitur në pikturë.
Analiza tregoi se, në agimin e 22 korrikut 1889, Hëna në fazën e fundit dhe Venusi mund të vëzhgoheshin në një konfigurim që përputhet në mënyrë të përafërt me atë të paraqitur në vepër.
Të dhënat historike meteorologjike sugjerojnë gjithashtu se kushtet atmosferike gjatë asaj periudhe mund të kenë qenë të përshtatshme për vëzhgimin e qiellit.
Ndërkohë, referencat e shpeshta të Van Gogut ndaj gjinkallave në letrat e tij mbështesin mundësinë e një periudhe të ngrohtë, në përputhje me muajin korrik.
Studiuesit identifikuan gjithashtu pikëvështrimin në Saint-Rémy nga i cili artisti mund të ketë vëzhguar peizazhin, ndërsa analiza gjeometrike evidentoi përputhje mes pesë yjeve qendrorë të pikturës dhe grumbullimit yjor.
Gjetjet sugjerojnë se Van Gog mund të jetë mbështetur në një konfigurim real astronomik gjatë krijimit të veprës.
Megjithatë, kjo nuk përjashton interpretimin artistik të elementeve të qiellit dhe nuk përbën domosdoshmërisht një konfirmim përfundimtar të datës së saktë të pikturës./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.