Planifikonte sulm me bombë në Kapitol, arrestohet nga FBI-ja 35-vjeçarja në Nju Jork e frymëzuar nga ISIS
FBI-ja ka arrestuar një grua nga Nju Jorku, e cila dyshohet se po planifikonte një sulm me bombë në ndërtesën e Kapitolit të shtetit të Nju Jorkut, në Albany, me qëllim vrasjen e ligjvënësve.
Prokurorët pretendojnë se Jessica Bowie, 35 vjeçe, kishte shprehur më parë besnikëri ndaj organizatës terroriste Shteti Islamik. Ajo akuzohet për sigurim të mbështetjes materiale ose burimeve për një organizatë të huaj terroriste të shpallur si të tillë nga autoritetet amerikane.
Sipas prokurorëve, Bowie kishte vëzhguar në mënyrë të përsëritur ndërtesën përpara sulmit të planifikuar. Në momentin e arrestimit, ajo mbante me vete një bombë të rreme dhe një armë zjarri që nuk funksiononte, të cilat, sipas autoriteteve, i ishin dhënë nga agjentë të infiltruar të FBI-së.
“Dua të shkatërroj sa më shumë nga ndërtesa të jetë e mundur dhe të vras senatorët”, dyshohet se u ka thënë Bowie agjentëve, sipas aktakuzës.
Nuk është bërë e qartë nëse Bowie planifikon t’i kundërshtojë akuzat në gjykatë.
35-vjeçarja, e cila jeton në Albany, në pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut, dyshohet se kishte diskutuar planet e saj me zyrtarë të FBI-së dhe kishte kaluar disa javë në kontakt me agjentë që hiqeshin si anëtarë të IS-it.
Sipas prokurorëve, ajo zgjodhi ndërtesën e parlamentit të shtetit të Nju Jorkut në Albany sepse mendonte se do të ishte një objektiv më i lehtë për t’u goditur sesa Shtëpia e Bardhë.
“Dua që kjo të ndikojë mbi sistemin amerikan”, dyshohet se u ka thënë ajo agjentëve.
Prokurorët janë shprehur se Bowie e kishte vizituar ndërtesën të paktën pesë herë për të mbledhur informacion dhe për të vëzhguar objektivin përpara sulmit të planifikuar.
Sipas autoriteteve, si pjesë e planit të saj, Bowie synonte ta fshihte bombën në një çantë për shpërndarjen e ushqimeve.
Agjentët dyshohet se i dhanë gjithashtu 200 dollarë për të blerë materiale për prodhimin e bombës në një dyqan lokal materialesh ndërtimi.
Ata e dërguan me makinë në një dyqan Home Depot dhe, pasi doli nga dyqani, ajo dyshohet se tha se shpresonte të kishte blerë gozhdët e duhura.
“Shpresoj që gozhdët të jenë mjaftueshëm të mëdha, sepse gozhdët funksionojnë si copëza metalike, apo jo?”, dyshohet se u ka thënë ajo dy agjentëve të infiltruar.
Bowie u arrestua të mërkurën. Sipas aktakuzës, në momentin e arrestimit ajo kishte gjithashtu thika dhe një deklaratë të shkruar besnikërie ndaj IS-it.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, falënderoi FBI-në dhe Policinë e Shtetit të Nju Jorkut për hetimin dhe arrestimin.
“Jam mirënjohëse ndaj FBI-së për drejtimin e këtij hetimi dhe ndaj Policisë së Shtetit të Nju Jorkut për punën e saj në kapjen e këtij individi të rrezikshëm”, shkroi Hochul në X.
Ajo shtoi se, në fillim të këtij viti, për shkak të rritjes së dhunës politike dhe kërcënimeve ndaj zyrtarëve publikë, autoritetet kishin ndërmarrë masa për të forcuar sigurinë në Kapitol dhe në institucionet e qeverisjes së shtetit të Nju Jorkut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.