Plas sherri në partinë e Ben Blushit
Pas publikimit të lajmit për sherrin mes Blushit dhe bashkëthemelueses së Libra-s, Mimoza Hafizit, një tjetër incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zyrat e partisë.
Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se situata ka degraduar në përplasje të ashpër fizike gjatë mbledhjes së partisë te “Rruga e Elbasanit” ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari, Ben Blushi.
Sherri me grushte mes disa anëtarëve të kësaj force politike ka qenë aq brutal sa që është dashur ndërhyrja e uniformave blu për të vendosur nën kontroll situatën.
Ben Blushi është parë tepër i shqetësuar nga ky incident i rëndë.
Newsbomb.al mëson se Mimoza Hafizi nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen e organizuar te ambientet e Hotel “Monarch”, por ka dërguar një anëtar të partisë dhe mbështetës të saj për ta regjistruar mbledhjen. Mesa duket ky gjest ka acaruar mbështetësit e Ben Blushit, të cilët e kanë nxjerrë jashtë mbledhjes, dhe njëri prej tyre e ka qëlluar me grusht.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme Newsbomb.al publikoi konfliktin verbal mes Mimoza Hafizit dhe Ben Blushit për shkak të statutit të partisë. Hafizi insistonte që partia të ishte me dy kryetarë.