Podgoricë: Pesë gra të helmuara nga botoksi, katër në spital — mjekja nuk kishte licencë
Qendra Klinike e Malit të Zi konfirmoi simptomat e rënda; ukrainasja Julija Kušnereva nuk kishte as licencë pune, as njohje të diplomës nga Fakulteti i Mjekësisë
Pesë gra janë paraqitur në Qendrën Klinike të Malit të Zi (KCCG) me simptoma helmimi pas aplikimit të botoksit, ndërsa katër prej tyre janë shtruar në spital dhe njëra ka refuzuar shtrimin, siç njofton gazeta malazeze “Vijesti”.
Sipas konfirmimit të KCCG-së, pacientet janë paraqitur me simptoma të rënda: malaksim (lodhje të madhe), mungesë ajri, vështirësi në gëlltitje dhe në të folur, qepalla të rëna dhe shikim të turbullt — shenja tipike të intoksikimit me toksinë botulinike.
“Vijesti” shkruan gjithashtu se shtetasja ukrainase Julija Kušnereva, e cila u kishte aplikuar preparatin grave, nuk kishte licencë për të ushtruar profesionin, madje as vendim për njohjen e diplomës së huaj, të cilin e lëshon Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Malit të Zi.
Rasti shpërtheu më 26 shtator, kur policia malazeze arrestoi 44-vjeçaren ukrainase dhe një 41-vjeçar malazez të dyshuar për tregti të paligjshme me preparate. Dyshimet e hetuesve janë se është përdorur një preparat i falsifikuar ose i dëmtuar, i siguruar përmes kanaleve ilegale. Më pas, Ministria e Shëndetësisë konstatoi se shërbimet estetike ofroheshin jashtë një institucioni shëndetësor të regjistruar.
Me pesë viktimat e reja, numri i grave të prekura nga skandali i botoksit të falsifikuar në Podgoricë është rritur ndjeshëm, duke e kthyer rastin në një nga skandalet më të mëdha shëndetësore të vitit në Mal të Zi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.