Shpallen fituesit e Çmimit “Sami Frashëri” 2026
Në Belsh këtë mesjavë u zhvillua edicioni i tretë i Çmimit “Sami Frashëri”, një aktivitet që synon të vlerësojë kontributet më të spikatura në studimet albanologjike, letërsi dhe publicistikë.
Në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Belshit morën pjesë personalitete të njohura të jetës akademike, kulturore dhe mediatike, mes tyre Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, akademikë, profesorë, studiues, shkrimtarë, gazetarë e publicistë, si edhe nxënës e gjimnazistë të Belshit. I pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani ,themelues i këtij Çmimi, i krijuar në vitin 2024 me vendim të Këshillit Bashkiak të Belshit, i cili mban emrin e Sami Frashërit, një prej figurave më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare shqiptare.
Për vitin 2026, juria, e kryesuar nga Namik Dokle, shpalli tre laureatët.
Çmimi për studime albanologjike iu dha akademikut Vasil S. Tole, për librin “Laver Bariu, ustai i fundit”, në vlerësim të kontributit të tij në muzikologji, etnomuzikologji dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Çmimi për letërsi iu akordua poetit Rudolf Marku, për vëllimin poetik “Kthimet”, botim i “Onufrit”. Juria e vlerësoi veprën për konceptualitetin dhe shprehësinë moderne, si dhe për kontributin e saj në poezinë shqipe.
Ndërsa Çmimi për publicistikë iu dha gazetarit Fatmir Popja.
Një vlerësim që, në rastin e gazetarit Fatmir Popja, lidhet me një rrugëtim të gjatë profesional prej disa dekadash në gazetarinë shqiptare, nga media e shkruar te televizioni, radioja dhe më pas edhe te gazetaria online.
Juria, e kryesuar nga Namik Dokle, e motivoi çmimin me kontributin e gazetarit Fatmir Popja si:
“Profesionist i raportimeve të sakta e të shpejta , gazetar kurajoz i investigimeve të para në gazetarinë shqiptare , trajtues i problematikave dhe shqetësimeve njerëzore, kërkues besnik i së vërtetës, komentator i njohur sportiv ,drejtues i mediave lokale në qytetin e Elbasanit që në vitet e para të Demokracisë , gazetar i palodhur i mediave kombëtare dhe themelues i një media on line .
Çmimi “Sami Frashëri” synon të kthehet në një traditë të qëndrueshme kulturore në Belsh, duke afruar në këtë qytet emra të njohur të botës akademike, letrare dhe mediatike, por edhe duke përfshirë brezin e ri në promovimin dhe ruajtjen e vlerave të kulturës kombëtare.Në dy edicionet e para, çmimi “Sami Frashëri” u akordua për emra të njohur të kulturës dhe mendimit shqiptar, mes tyre botuesit dhe publicistët Bujar Hudhri dhe Aleksandër Çipa, studiuesit Marenglen Kasmi dhe Shaban Sinani, shkrimtarët Ben Blushi dhe Flutura Açka, ndërsa me një nderim të tillë pas vdekjes u vlerësua edhe gazetari dhe drejtuesi i mediave kombëtare Aristir Lumezi.
Kështu, vetëm në tre edicione, “Sami Frashëri” ka nisur të krijojë një profil të veçantë në jetën kulturore shqiptare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.