Kronika

Pogradec, vritet me kallashnikov 18-vjeçari për një sherr në Facebook

Pas një sherri të nisur në Facebook , një 18-vjeçar është vrarë me armë zjarri nga bashkëmoshatari i tij në qytetin e Pogradecit. Ngjarja është regjistruar në një pikë bastesh në rrugën “Rinia”, teksa dy adoleshentët, të cilët ishin grindur një ditë më parë përmes rrjetit social, janë përballur me njëri-tjetrin, ku Fabian Muçllari nga fshati Vërdovë qëlloi me armë automatike në drejtim të Fabio Hilës, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Sipas të dhënave të para nga policia, shkak i grindjes mes dy të rinjve, të cilët ishin nxënës në gjimnaze të ndryshme të qytetit, ishte një vajzë të cilën autori pretendonte se ngacmohej nga viktima. Burime nga grupi hetimor thanë se, sipas dëshmitarëve, mes autorit dhe viktimës ka pasur fillimisht një debat verbal dhe më tej autori Fabian Muçllari i ka kërkuar që ta presë pak minuta në lokal se do të rikthehej që ta sqaronte.

Fabio Hila pas kësaj grindjeje ka vijuar të rrijë i qetë në lokal edhe në shoqërinë e disa bashkëmoshatarëve të tjerë kur autori është rikthyer i armatosur dhe ka qëlluar një herë në ajër duke i detyruar të gjithë personat e pranishëm që të dalin jashtë. Më tej, ai ka qëlluar në drejtim të viktimës dhe është larguar. Pak minuta më vonë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka dërguar drejt spitalit të riun Hila, por ai ka ndëruar jetë gjatë rrugës, ndërsa është bërë i mundur arrestimi i autorit i cili ka tentuar të largohet pas krimit të rëndë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button