Policia: Arrestohet bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit
Feta Mataj, 44 vjeç, është arrestuar nga Policia e Durrësit pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Mataj, banues në lagjen nr. 15 në Durrës dhe bashkëshort i ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare, filiali Durrës, Elisabeta Mataj, akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Në kuadër të hetimeve, një punonjëse e filialit të Postës ka deklaruar se Feta Mataj u kërkonte punonjëseve të jepnin çdo muaj nga 25 mijë lekë.
Mataj kishte mbajtur më herët detyrën e zv.drejtorit të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës.
Bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, është nën masën “arrest në shtëpi” dhe po hetohet për dyshimet lidhur me përvetësimin e 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Policia njoftoi se vendimi i gjykatës ndaj Feta Matajt u ekzekutua nga specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.