Policia parandaloi vrasjen në Lezhë, Apeli e çon në arrest shtëpie të dyshuarin si atentator
Megaoperacioni i Policisë së Lezhës parandaloi një vrasje të planifikuar, ndërsa një prej tre të arrestuarve, Vinçesk Piroli, lirohet nga qelia dhe kalon në arrest shtëpie pas vendimit të Apelit.
Vetëm 38 ditë pas arrestimit në kuadër të operacionit policor “Detajet”, Gjykata e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Vinçesk Pirolin, duke e nxjerrë nga qelia dhe duke e lënë në arrest shtëpie.
Piroli u arrestua më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin, 34 vjeç, dhe Elden Tarjan, 25 vjeç, pasi dyshohej se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin planifikuar të kryenin një vrasje në zonën e Lezhës, shkruan A2.
Operacioni i Policisë, i koduar “Detajet”, u finalizua pas informacioneve për lëvizje të dyshimta të dy personave të armatosur dhe me skafandra, të cilët udhëtonin me një motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”.
Sipas dyshimeve të grupit hetimor, dy personat do të kryenin ekzekutimin, ndërsa personi i tretë do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet nga zona pas kryerjes së krimit.
Burime policore bëjnë me dije se në motomjetin që dyshohet se do të përdorej për atentatin, Kristian Ymeri ishte drejtuesi, ndërsa Vinçesk Piroli udhëtonte si pasagjer. Ky i fundit dyshohej se do të ishte personi që do të qëllonte ndaj objektivit.
Policia ndërhyri pas sinjalizimit dhe, pas kontrolleve në zonë, arriti të ndalojë automjetin tip “Volkswagen” në aksin Gjadër-Barbullush, ku ndodheshin tre të dyshuarit.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan tri pistoleta me krehra dhe fishekë, municion luftarak, si dhe automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast. Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.
Por, ndërsa ndërhyrja policore u prezantua si një operacion që parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale, 19 nëntori shënon një zhvillim të ri në këtë dosje: Apeli vendos që Vinçesk Piroli të mos qëndrojë më në burg, por të vijojë qëndrimin në arrest shtëpie.
Vendimi vjen vetëm 38 ditë pas arrestimit të tij, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.