RIAD – Sulm me raketë, dëmtohet kulla ku ndodhet fondi sovran i Arabisë Saudite
RIAD, 19 nëntor /ATSH-AFP/- Një kullë 80-katëshe në lagjen financiare të Riadit, ku ndodhet selia e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), është dëmtuar sot, pasi mbetjet e një rakete të lëshuar nga rebelët Houthi ranë në kryeqytetin saudit.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se kishte interceptuar raketën, ndërsa dëmtimet në ndërtesë u konfirmuan nga dëshmitarë okularë për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
Sipas dëshmitarëve, fasada e kullës është dëmtuar në disa kate dhe një pjesë e xhamave janë thyer.
“Fasada është dëmtuar në disa kate, ndërsa xhamat janë thyer”, deklaroi një burim për AFP-në, duke kërkuar të mbetej anonim. Dy burime të tjera konfirmuan dëmtimet.
Kjo është ndërtesa është më e lartë në lagjen financiare të Riadit dhe strehon selinë e PIF-it, fondit shtetëror që administron investimet e mëdha të Arabisë Saudite në sektorë si energjia, teknologjia, turizmi dhe infrastruktura.
Sulmi vjen pas një incidenti tjetër në fillim të nëntorit, kur një rrokaqiell në pronësi të kompanisë saudite të naftës “Aramco”, në të njëjtën lagje financiare, u dëmtua gjithashtu nga një sulm i atribuuar rebelëve Houthi.
Houthit janë një grup i armatosur jemenas, i mbështetur nga Irani, që prej vitesh është përfshirë në konfliktin në Jemen dhe ka kryer sulme ndaj objektivave saudite. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.