Politika që na shpëtoi, ndërsa flisnim për politikë
Nga Bjorn Runa
Dy ngjarje kriminale në Fier dhe Shkodër flasin më shumë rreth pushtetit në Shqipëri se sa një tjetër javë protestash e konfrontimesh partiake.
Përgjatë javës që po lëmë pas, Shqipëria foli pafundësisht për politikën. Ndonëse e pazakontë për një stinë të ngadaltë politikisht, debati mbetet goxha i gjallë rreth qeverisë, protestës, deklaratave të ambasadorëve ose mungesës së tyre dhe mantrës së kahershme të rotacionit. Por, nga ana tjetër, dy nga ngjarjet më politike të javës së shkuar u zhvendosën qetësisht në një tjetër rubrikë mediatike, atë të lajmeve të kronikës.
Në Fier, një grup vajzash adoleshente u ndaluan nga policia pasi filmuan dhe publikuan në rrjetet sociale momentin kur dhunonin një 17-vjeçare. Hetimi u zgjerua më pas për të përfshirë edhe akuza se disa nga personat e përfshirë në ngjarje, kishin përdorur biseda dhe takime kompromentuese për të shantazhuar burra të rritur, një prej të cilëve rezultoi të ishte oficer policie, që më pas u shkarkua nga detyra.
Ndërkaq, një 62-vjeçar në Shkodër vrau bashkëshorten e tij 55-vjeçare. Xhelozia, sipas raportimeve, ishte motivi imediat. Justifikimi i tij, po sipas raportimeve, ishte se nuk kishte bërë asgjë të gabuar… “ÇFarë ka? Gruan time vrava,” raportohet të ketë thënë autori tanimë i arrestuar.
Janë dy ngjarje që në pamje të parë nuk duken të kenë lidhje me njëra-tjetrën. Rasti i fierit përfshin adoleshentë, smartfonë dhe një operacion të mirëfilltë shantazhi, ndërsa ai i Shkodrës përfshin një çift në moshë dhe një nga format më antike të posedimit patriarkal. I pari, i ftohtë dhe i kalkuluar, duket se i përket botës digjitale, ndërsa i dyti një bote të vjetër të lidhur me traditën.
Por të dyja rastet kanë si emërues të përbashkët pushtetin, i cili një herë shfaqet si nevojë për të prodhuar content dhe herën tjetër si nevojë për të poseduar në çdo lloj forme një qenie tjetër. Ndaj problemi kryesor, më shumë se sa tek ngjarjet kriminale individuale, qëndron tek mjedisi që mundëson mënyra të caktuara të sjelljes, të cilat shpesh kalojnë me vëmendjen minimale deri në momentin që shpërthen skandali.
Media i mbuloi të dyja rastet duke u përqendruar tek elementet më dramatike të secilës prej historive dhe pasi spektakli u konsumua, vëmendja u kthye sërish te ajo që emërtohet ngushtësisht si politikë dhe që rrallë e kalon kufirin e halleve partiake, kryetarëve të tyre, dorëheqjeve dhe mungesave të tyre, duke harruar se siguria e adoleshentëve është gjithashtu politike, sikurse është edhe aftësia e shkollave dhe atyre pak shërbimeve sociale funksionale për të zbuluar herët rastet e dhunës. Po aq çështje politike është sjellja e oficerëve të policisë, por edhe mundësia e grave për tëë jetuar pa frikën e dhunës apo të një posedimi patriarkal.
E megjithatë, diskursi ynë publik duket se e ka rezervuar përgjithmonë fjalën “politikë” vetëm për të debatuar rreth lojërave të pushtetit. Protesta që tashmë po hyn në muajin e dytë të saj, rrezikon të riprodhojë të njëjtat kufizime intelektuale dhe ideore, madje duke shfaqur hera-herës anë edhe më regresive se ato të pushteteve që kemi kaluar në tri dekada. Dita-dtës, gjuha e saj po përqendrohet tek rrëzimi i qeverisë dhe rishpërndarja e pushtetit, por një lëvizje politike e cila kërkon një “Shqipëri të re, gjykohet sa mbi bazën e asaj çka kundërshton, po aq edhe të marrëdhënieve shoqërore që synon të ndryshojë dhe një vend më i sigurtë nuk garantohet vetëm nga kush zotëron bregdetin dhe as nga thirrjet folklorike-nacionaliste për Shqipëri etnike. Se mrekullia mund të ndodhë e t’i arrish të dyja, madje mund t’ia dalësh të rrëzosh edhe qeverinë dhe prapëseprapë të mbetesh me të njëjtat marrëdhënie ku më i forti vazhdon të pretendojë se ka të drejtë mbi më të dobëtin.
Duke e trjatuar politikën ekskluzivisht si luftë për pushtet, i shohim strukturat e përditshme të tij (pushtetit) vetëm kur prodhojnë ndonjë video virale, që ta shohim për 30 sekonda dhe pastaj t’i kthehei debatit se kush duhet ta qeverisë shoqërinë që i prodhon këto struktura të përditshme pushteti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.