POLONI – Tusk i kërkon presidentit t’i japë fund përplasjes për Gjykatën Kushtetuese
VARSHAVË, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri polak Donald Tusk ka fajësuar presidentin Karol Nawrocki për krizën e vazhdueshme në Gjykatën Kushtetuese dhe i ka kërkuar të pranojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes pa ndryshuar Kushtetutën.
Në një reagim të publikuar të hënën në rrjetin social X, Tusk tha se presidenti duhet të njohë gjyqtarët e zgjedhur në përputhje me ligjin, pasi këtë e parashikon Kushtetuta.
Sipas tij, kjo do t’u mundësonte atyre të nisnin punën në gjykatë. Megjithatë, kryeministri pretendoi se deri tani Nawrocki ka zgjedhur përballjen në vend të zgjidhjes së konfliktit.
Përplasja mes dy kampeve kryesore politike për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese u përshkallëzua të premten, pasi në faqen zyrtare të institucionit u njoftua se kryetari aktual, Bogdan Swieczkowski, dhe zëvendësi i tij ishin pezulluar përkohësisht nga detyra.
Sipas njoftimit, gjyqtarja Anna Korwin-Piotrowska do të drejtojë përkohësisht gjykatën.
Partia konservatore nacionaliste “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), e cila qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023, ka emëruar në gjykatë gjyqtarë që kanë pasur afërsi politike me të.
Pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2023, koalicioni i qendrës së majtë i drejtuar nga Tusk ka tentuar të plotësojë vendet e mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese.
Korwin-Piotrowska është një nga pesë gjyqtarët e rinj të zgjedhur nga parlamenti, të cilët ende nuk kanë mundur të marrin detyrën, pasi presidenti konservator Nawrocki ka refuzuar t’u bëjë betimin zyrtar.
Pesë gjyqtarët e kanë bërë betimin në parlament, por kryetari i gjykatës, Swieczkowski, nuk i ka lejuar të hyjnë në ndërtesën e institucionit.
Tensionet pritet të rriten sërish të martën, pasi Korwin-Piotrowska ka thirrur një mbledhje të përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ky organ ka kompetencë, ndër të tjera, të japë pëlqimin për nisjen e procedimit penal ndaj gjyqtarëve kushtetues dhe të vendosë nëse një gjyqtar duhet të dalë në pension, për shkak të pamundësisë së përhershme për të ushtruar detyrën. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.