BM – Një kërcënim me bombë devijon avionin e Wizz Air që udhëtonte drejt Bullgarisë
LONDËR, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Një kërcënim me bombë detyroi devijimin drejt Budapestit të një avioni pasagjerësh që udhëtonte nga Londra për në Bullgari, njoftoi kompania ajrore Wizz Air.
Fluturimi, i cili ishte planifikuar të nisej nga aeroporti Luton të hënën në orën 08:15 (08:15 GMT) me destinacion aeroportin e Sofjes në kryeqytetin bullgar, u devijua pasi kërcënimi u mor “gjatë fluturimit”, bëri të ditur kompania ajrore.
Në një postim në Facebook, ministri hungarez i Mbrojtjes, Ruszin-Szendi Romulusz, deklaroi se një nga avionët luftarakë të vendit u përfshi në operacion, duke siguruar që avioni i Wizz Air të ulej i sigurt në Budapest.
Avioni Airbus A321 ishte planifikuar të ulej në aeroportin e Sofjes rreth orës 13:25 (11:25 GMT), por në vend të kësaj u devijua drejt Hungarisë ndërsa po fluturonte mbi Bosnje-Hercegovinë, sipas faqes së internetit FlightRadar24, e cila gjurmon fluturimet.
Një zëdhënës i Wizz Air u shpreh se “Wizz Air konfirmon se fluturimi i sotëm nga Londra (Luton) për në Sofje u devijua drejt Budapestit, pas një kërcënimi me bombë të marrë gjatë fluturimit.”
“Avioni ndryshoi itinerarin dhe u ul i sigurt në aeroportin ndërkombëtar ‘Liszt Ferenc’ të Budapestit, në përputhje me protokollet dhe procedurat përkatëse të sigurisë. Më pas, ai u drejtua drejt një vendqëndrimi të caktuar, ku autoritetet përkatëse kryen kontrollet e nevojshme të sigurisë në avion dhe te pasagjerët”, shtoi ai.
“Wizz Air po bashkëpunon plotësisht me autoritetet. Siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit mbetet prioriteti ynë kryesor”, sipas tij.
Të hënën pasdite, kompania ajrore konfirmoi se gjatë kontrollit të avionit nuk u gjet asgjë dhe se ai pritej të nisej sërish së shpejti./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.