Pragmatizmi gjerman, rikthimi te motorët me benzinë po shpëton Porsche-n dhe VW-në
Industria gjermane e makinave, dikur simboli i pamposhtur i fuqisë ekonomike të Evropës, po kalon një nga periudhat më të vështira të historisë së saj moderne. Viti 2025 u regjistrua si një vit negativ rekord, i goditur nga një “stuhi e përsosur”: rënia e shitjeve në Kinë, tarifat doganore të administratës Trump dhe kostot miliarda euroshe të një tranzicioni elektrik që doli më i vështirë se parashikimet.
Fitimet drejt greminës
Sipas të dhënave të fundit, gjigantët BMW, Mercedes-Benz dhe Grupi Volkswagen pësuan një rënie të fitimeve prej 44% në vitin 2025 krahasuar me vitin paraardhës. Fitimi i kombinuar para taksave zbriti në 24.9 miliardë euro, niveli më i ulët që nga viti i pandemisë 2020.
Porsche u godit veçanërisht rëndë, duke shpenzuar rreth 3.9 miliardë euro vetëm për të ndryshuar strategjinë: nga një fokus ekskluziv te makinat elektrike, prodhuesi i famshëm po rikthehet te zhvillimi i motorëve me djegie të brendshme (benzinë), për të kënaqur kërkesën e tregut që refuzoi braktisjen e shpejtë të traditës.
BMW, fituesi i “hapjes teknologjike”
Në këtë panoramë të zymtë, BMW rezultoi përjashtimi i madh. Ndryshe nga konkurrentët që “vunë të gjitha bastet” tek makinat elektrike, BMW ndoqi politikën e hapjes teknologjike. Duke prodhuar paralelisht makina elektrike, hibride dhe me djegie, kompania pësoi një rënie prej vetëm 3% të marzhit neto, duke u pozicionuar si lideri i ri i stabilitetit në Gjermani.
Kthesa e papritur në tregun kinez
Viti 2026 ka nisur me një lajm shpresëdhënës nga Lindja. Pas muajsh humbjesh ndaj markave vendase kineze (si BYD), Volkswagen ka rimarrë kryesimin e tregut në Kinë me 13.9% të pjesës së tregut. Kjo u mundësua nga rënia e subvencioneve qeveritare kineze për makinat elektrike, gjë që i ktheu blerësit drejt modeleve tradicionale gjermane, të njohura për cilësinë dhe jetëgjatësinë e tyre.
E ardhmja, bateritë “Solid-State” dhe autonomia
Ekspertët e industrisë, si Jürgen Pieper, thonë se “nekrologjia për makinat gjermane është e parakohshme”. Shpresa e madhe qëndron te teknologjia e re. Bateritë në gjendje të ngurtë (Solid-State). Volkswagen planifikon prodhimin masiv në 2028, duke premtuar karikim më të shpejtë dhe siguri më të lartë.
Drejtimi autonomy, synimi është që rreth vitit 2030, inteligjenca artificiale të jetë standard në modelet premium.
Industria gjermane po kalon nga “romantizmi elektrik” në një realizëm pragmatik. Mes tarifave ndëshkuese dhe konkurrencës agresive, prodhuesit po rishikojnë strukturat e tyre çdo vit. “Produktet po përmirësohen dhe kjo është shenja më e madhe e shpresës,” thonë analistët.
Gjermania mund të ketë humbur startin e parë të garës elektrike, por po përgatitet për një finish të qëndrueshëm përmes inovacionit gradual dhe cilësisë së padiskutueshme.
/rtsh.al/
The post Pragmatizmi gjerman, rikthimi te motorët me benzinë po shpëton Porsche-n dhe VW-në appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.