Prezantohet “Rilindja Urbane 2.0”, Demo zbulon 11 shtyllat e programit: Nga 70 muze të rinj te transporti i gjelbër dhe “Smart Cities”
Qeveria prezantoi këtë të premte programin “Rilindja Urbane 2.0”, një nismë që synon transformimin e qyteteve dhe bashkive përmes investimeve në infrastrukturë, turizëm, teknologji, mjedis dhe zhvillim ekonomik lokal.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, e cilësoi programin si një projekt ambicioz që shkon përtej investimeve tradicionale, duke e konsideruar atë një model të ri bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.
“Sot jemi mbledhur këtu për të prezantuar Rilindjen Urbane 2.0, një program ambicioz po aq sa ambiciet e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj. Është shumë më tepër se një program investimesh, pasi shënon një nivel të ri bashkëpunimi midis qeverisë qendrore dhe asaj lokale për t’u dhënë përgjigje sfidave strukturore të 35 viteve të fundit”, u shpreh Demo.
Sipas tij, programi synon të krijojë bazën për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke mbështetur sektorë strategjikë si turizmi, ekonomitë lokale, sipërmarrja dhe infrastruktura publike.
Ministri prezantoi edhe 11 shtyllat mbi të cilat do të mbështetet programi:
1. Muzetë e identitetit lokal – Synohet krijimi i 70 muzeve të rinj bashkiakë gjatë tre viteve të ardhshme. Aktualisht në vend janë 83 muze, ndërsa bashkitë kanë paraqitur 125 ide, prej të cilave 22 projekte janë gati për t’u zbatuar. Programi parashikon edhe mbështetje për muze privatë që promovojnë traditat dhe historinë lokale.
2. Menaxhimi modern i parkimeve – Bashkitë do të kenë instrumente të reja ligjore për zhvillimin e projekteve të parkimit, jo vetëm si infrastrukturë urbane, por edhe si burim të ardhurash dhe financimi për investime të tjera vendore.
3. Rigjenerimi i hapësirave ish-industriale – Programi synon transformimin e 448 objekteve të identifikuara industriale të braktisura në hapësira biznesi dhe zhvillimi ekonomik për komunitetet.
4. Arkitekturë cilësore për godinat publike – Fokus te rikonstruksioni dhe ndërtimi i objekteve publike moderne, efikase energjetikisht dhe funksionale. Janë identifikuar 118 kopshte, çerdhe dhe shkolla, ku 86% kanë nevojë për ndërhyrje.
5. Startup-et dhe sipërmarrja inovative – Qeveria synon të forcojë ekosistemin e inovacionit. Fondi për startup-et është dyfishuar në 6 milionë euro, ndërsa do të mbështeten qendra të reja inovacioni (HUB-e).
6. Mjedisi i shëndetshëm – Prioritet do të jetë përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve urbane për të garantuar qytete më të pastra dhe standarde më të larta mjedisore e turistike.
7. Transporti i gjelbër – Programi parashikon krijimin e një modeli të ri të transportit publik urban dhe ndërurban. Për këtë janë alokuar 13 milionë euro, ndërsa bashkitë do të kenë mundësi të krijojnë kompanitë e tyre të transportit me mjete ekologjike.
8. Ujësjellësit dhe trajtimi i ujërave të ndotura – Synohet sigurimi i furnizimit me ujë 24 orë në ditë dhe ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura, si një nga prioritetet kryesore të zhvillimit.
9. Kapacitetet logjistike dhe infrastruktura bujqësore – Me një fond prej 20 milionë eurosh, të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, do të krijohet një flotë mjetesh për mirëmbajtjen e infrastrukturës rurale dhe për përballimin e emergjencave. Ndërkohë janë gati edhe projekte me vlerë 94 milionë euro.
10. Smart Cities dhe siguria urbane – Programi synon zgjerimin e përdorimit të teknologjisë në shërbimet publike, duke përfshirë transportin, sigurinë në shkolla dhe plazhe, menaxhimin e trafikut, parkimeve dhe monitorimin e mbetjeve.
11. Bashkitë sipërmarrëse – Qeveria synon që bashkitë të mos jenë vetëm administratore të taksave vendore, por aktorë ekonomikë që krijojnë partneritete dhe gjenerojnë të ardhura. Objektivi është ngritja e 20 ndërmarrjeve të përbashkëta vendore deri në vitin 2027.
Në përfundim, Demo theksoi se “Rilindja Urbane 2.0” është një program që bashkon disa politika qeveritare dhe synon t’u japë bashkive më shumë instrumente financiare dhe zhvillimore për të përballuar sfidat e së ardhmes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.