Projekti i urave, BB: Vetëm 21% e financimit i disbursuar, gati 10 ndërhyrje pas Viroit e Beshirit
Vetëm rreth një e pesta e financimit për projektin “Ndërtimi i Urave Rezistente” në Shqipëri është disbursuar deri tani, ndërsa Banka Botërore e vlerëson progresin e përgjithshëm të zbatimit si “mesatarisht të kënaqshëm”.
Raporti më i fundit i statusit të zbatimit, i publikuar më 5 tetor, tregon se nga financimi i rishikuar prej 57.97 milionë dollarësh janë disbursuar 12.14 milionë dollarë, ose 20.94% e totalit, ndërsa 45.83 milionë dollarë mbeten ende të padisbursuara. Huaja u miratua në mars 2023 dhe projekti parashikohet të mbyllet më 31 korrik 2029.
Banka Botërore e mban vlerësimin për progresin drejt objektivave të projektit në nivelin “të kënaqshëm”, ndërsa progresi i përgjithshëm i zbatimit mbetet “mesatarisht i kënaqshëm”. Vlerësimi i përgjithshëm i rrezikut është “mesatar”.
Vlerësimi i raportit
“Zbatimi po përparon në të gjithë komponentët e projektit. Punimet civile në Urën e Viroit janë përfunduar në masë të konsiderueshme dhe ura është hapur për trafik. Kontrata për Urën e Beshirit është dhënë dhe procedurat e prokurimit për punimet civile në 10 ura të tjera janë në vazhdim ose pritet të nisin së shpejti”, thuhet në raport.
Projekti synon të rrisë qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike të urave ndaj ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore, si dhe të përmirësojë menaxhimin e aseteve rrugore dhe të urave.
Të dhënat e rezultateve tregojnë se deri në mars 2026 ishte rehabilituar, rindërtuar ose ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare të rezistencës klimatike vetëm një urë, ndërsa objektivi është 30 ura deri në mars 2031.
Përfituesit me akses të përmirësuar në shërbimet e transportit mbeten ende në zero, kundrejt objektivit prej 350 mijë personash. Edhe treguesi për përdoruesit e përditshëm të rrugëve që do të përfitojnë nga ura më të sigurta mbetet në zero, kundrejt objektivit prej 200 mijë.
Gjithsesi, puna për projektimin është më e avancuar. Deri në mars 2026 ishin përfunduar 13 projektime urash sipas udhëzimeve ndërkombëtare për qëndrueshmërinë ndaj klimës dhe fatkeqësive natyrore, nga një objektiv prej 15 deri në mars 2029. Për 86% të projekteve janë zhvilluar konsultime publike dhe anketime, ndërsa e njëjta përqindje është audituar për qëndrueshmërinë klimatike përpara ndërtimit.
Raporti evidenton ndërkohë se disa prej instrumenteve të parashikuara për menaxhimin e rrugëve dhe urave ende nuk janë vënë në përdorim. Sistemi RAMS/BMS dhe të dhënat nga monitorimi në distancë nuk përdoreshin deri në mars 2026 për planifikimin e mirëmbajtjes dhe buxhetimit.
Po ashtu, deri në të njëjtën periudhë nuk ishte hedhur ende asnjë e dhënë mbi gjendjen e rrugëve në sistemin RAMS/BMS, nuk ishte krijuar baza e të dhënave për humbjet nga fatkeqësitë dhe nuk ishin hartuar kërkesat për nivelin e shërbimit. Këta tregues kanë objektiv përfundimtar vitin 2029.
Projekti zbatohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe komponenti më i madh i tij, infrastruktura e urave, ka një kosto të parashikuar prej 44 milionë dollarësh./N.Maho



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.