Projekti “Smart City” në shkolla, Rama: Kjo është përgjigja jonë pas tragjedisë te “Fan Noli”
Kryeministri Edi Rama e cilësoi projektin“Smart City”, një sistem i ri monitorimi i bazuar në Inteligjencën Artificiale, i cili synon të transformojë sigurinë publike në Shqipëri përmes parandalimit të rreziqeve në kohë reale.
Sipas Ramës, projekti është përgjigjja konkrete e qeverisë ndaj ngjarjes tragjike që tronditi vendin ku 14-vjeçari Martin Cani u vra jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”. Kryeministri theksoi se asnjë shtet nuk mund të parandalojë çdo ngjarje, por ajo që e dallon një shtet funksional është mënyra se si reagon pas tyre.
“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të shkollës ‘Fan Noli’, që tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë të rëndë. Ndërkohë, Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të gjithfarë lloj akuzash, sajesash e fabrikimesh që zgjatën jo pak. Unë nuk e kam harruar, siç e kanë harruar ata që abuzuan dhe keqpërdorën atë tragjedi, sepse e kujtoj çdo ditë duke ndjekur pikërisht këtë projekt, që është përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie. Një shtet nuk matet me çdo gjë që ndodh, sepse edhe në shtetet më të zhvilluara, me traditat më të konsoliduara institucionale, ndodhin ngjarje që trondisin opinionin publik. Por një shtet matet me mënyrën se si reagon. Reagimi ynë është sistemik dhe, edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme, do të bëjë të mundur që shumë fëmijë, të cilët mund të jenë potencialisht të rrezikuar, të mos përballen me pasoja. Ky mekanizëm i sofistikuar teknologjik do të harmonizojë përpjekjet e njerëzve dhe institucioneve me aftësitë e Inteligjencës Artificiale, duke e ngritur parandalimin në një nivel krejt tjetër”, tha Rama.
Rama tha se në fazën e parë, projekti do të zbatohet në 20 shkollat më të mëdha të Tiranës, ku kamerat inteligjente do të jenë në gjendje të identifikojnë situata të mundshme rreziku duke i parandaluar ato.
“Sot e kemi nisur me sigurinë në shkolla, ku 20 shkollat e para në Tiranë janë përzgjedhur për nga dendësia e numrit të nxënësve, intensiteti i veprimtarive rreth tyre dhe domosdoshmëria që, duke testuar modelin pikërisht në këto shkolla, të nxjerrim të gjitha konkluzionet e nevojshme për të vazhduar me fazat e tjera. Sot të gjithë prindërit duhet të ndihen të lehtësuar, që qeveria është një trup që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”, tha Rama.
Rama tha se shpreson që brenda 12 muajve i gjithë territori i Shqipërisë të mbulohet nga sistemi i monitorimit me kamera inteligjente, në kuadër të projektit “Smart City”. Rama shtoi gjithashtu se objektivi i qeverisë është ndërthurja e sistemit “Smart City” me Komisariatin Dixhital, duke krijuar një platformë të unifikuar komunikimi mes qytetarëve dhe institucioneve.
Sipas Ramës, qytetarët do të kenë një hapësirë të dedikuar në sistem, përmes së cilës do të mund të raportojnë problematika të ndryshme, ndërsa Inteligjenca Artificiale do t’i identifikojë dhe analizojë ato në kohë reale.
“Natyrisht, çdo gjë kërkon kohën e vet. Nuk ka projekt që nuk mund të ndeshë pengesa, por sot jemi në një moment kur projekti merr jetë dhe vijon me shtrirjen e tij në të gjithë vendin, duke shënuar një fazë të re historike të përpjekjes së shtetit për të ngritur në një nivel tjetër menaxhimin e sigurisë publike. Shpresojmë që brenda 12 muajve të ardhshëm i gjithë territori të jetë ‘live’ nën monitorimin e kamerave inteligjente, duke rritur sigurinë publike dhe duke punuar për të ndërthurur Komisariatin Dixhital me këtë sistem. Qytetarët do të kenë një ‘inbox’ të tyre në sistem dhe sistemi do të bëjë në kohë reale identifikimin e shqetësimeve të tyre, qoftë për një parkim të paligjshëm apo për situata të tjera”, u shpreh Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.