🌦️
Tiranë 22°C · Rrebesh i lehtë 09 Tetor 2026
S&P 500 7,765 ▼0.47%
DOW 51,232 ▲0.1%
NASDAQ 27,193 ▼1.25%
NAFTA 90.77 ▼0.79%
ARI 4,204 ▲1.14%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1208 EUR/GBP 0.8476 EUR/CHF 0.9328 EUR/ALL 91.7138 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3722 EUR/TRY 55.2355 EUR/JPY 176.99 EUR/CAD 1.5951 EUR/USD 1.1208 EUR/GBP 0.8476 EUR/CHF 0.9328 EUR/ALL 91.7138 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3722 EUR/TRY 55.2355 EUR/JPY 176.99 EUR/CAD 1.5951
₿ CRYPTO
BTC $82,600 ▲ +0.06% ETH $2,493 ▼ -1.81% XRP $1.3881 ▼ -0.85% SOL $110.1200 ▼ -3.1%
S&P 500 7,765 ▼0.47 % DOW 51,232 ▲0.1 % NASDAQ 27,193 ▼1.25 % NAFTA 90.77 ▼0.79 % ARI 4,204 ▲1.14 % S&P 500 7,765 ▼0.47 % DOW 51,232 ▲0.1 % NASDAQ 27,193 ▼1.25 % NAFTA 90.77 ▼0.79 % ARI 4,204 ▲1.14 %
EUR/USD 1.1208 EUR/GBP 0.8476 EUR/CHF 0.9328 EUR/ALL 91.7138 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3722 EUR/TRY 55.2355 EUR/JPY 176.99 EUR/CAD 1.5951 EUR/USD 1.1208 EUR/GBP 0.8476 EUR/CHF 0.9328 EUR/ALL 91.7138 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3722 EUR/TRY 55.2355 EUR/JPY 176.99 EUR/CAD 1.5951
09 Tet 2026
Breaking
Kronika

Prokurori i Përgjithshëm thirrje magjistratëve: Rritni efikasitetin, duhet të rikthejmë besimin e publikut te drejtësia

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u ka bërë thirrje magjistratëve të punojnë për rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet e drejtësisë.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku pritet të votohet për tre anëtarët e rinj të institucionit, ai theksoi rëndësinë e uljes së numrit të dosjeve të mbartura, rritjes së shpejtësisë dhe cilësisë së hetimeve dhe përfaqësimit në gjykim, si dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Çela u ndal edhe te çështja e trajtimit financiar të magjistratëve, duke kërkuar një zgjidhje përfundimtare në përputhje me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.

Aio ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e infrastrukturës së përshtatshme në disa prokurori dhe për sigurinë në institucionet e drejtësisë, duke kujtuar se ka kaluar një vit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, pa një zgjidhje tërësore afatgjatë për garantimin e sigurisë në ambientet e punës.

Fjala e plotë

“Të nderuar të ftuar dhe kolegë. Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë përveç se është një element thelbësor që garanton ripërtëritjen pjesore të tij përmes një procesi zgjedhor transparent, në respektim të ligjit, shërben edhe për një reflektim mbi funksionimin e tij të deritanishëm, arritjet dhe mangësitë e vërejtura, vizionin dhe sfidat që do të duhet të kapërcehen.

Nuk do të bëj një analizë dhe as do të jap një opinion si Prokuror i Përgjithshëm mbi këto çështje pasi sot në fakt është dita kur secili prej jush, përmes votës për zgjedhjen e kandidatit apo kandidates së preferuar do të shprehë për aq sa e lejon procesi vullnetin dhe këndvështrimin e tij mbi të gjtha sa më sipër.

Megjithatë, duhet të them se është e rëndësishme që çdo prokuror të mbajë në konsideratë se çfarë ky këshill ka bërë dhe do të bëjë sa i përket garantimit të pavarësisë së prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre, sigurimit dhe mbrojtjes së statusit, karrierës së bazuar tek meritokracia, llogaridhënies përmes një procesi disiplinor transparent dhe objektiv. Këto aspekte të funksionimit të këshillit të marra së bashku garantojnë funksionimin normal të prokurorisë si një nga komponentët kryesorë të sistemit të drejtësisë.

Prokuroria është duke kaluar një periudhë tejet të vështirë prej disa vitesh, për shkak të vakancave në organikë dhe mbingarkesës së punës të krijuar si rrjedhojë e tyre. Kjo u shoqërua me sfidat që natyrshëm sjell integrimi i një numri të madh magjistratësh të rinj në sistem si dhe me nevojën për ndërtimin e raporteve të reja brenda zyrave dhe mes niveleve, në kuadrin e një prokurorie të decentralizuar.

Ka qenë kontributi dhe sakrifica e gjithsecilit prej jush që ndihmoi në evitimin e kolapsit që rrezikonte sistemin e prokurorisë dhe përshtatjen graduale me organizimin e ri, pa mohuar në asnjë çast kontributin që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dhënë në këtë drejtim në përputhje me rolin e tij kushtetues.

Megjithë arritjet pozitive në tërësi, duke veçuar sidomos objektivat që lidhen me procesin e integrimit të vendit, kemi ende shumë punë për të bërë. Ulja e numrit të dosjeve të mbartura, rritja e shpejtësisë dhe cilësisë së hetimit dhe përfaqësimit në gjykim, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, konsolidimi më tej i bashkëpunimit me partnerët tanë brenda dhe jashtë vendit, rritja e kapaciteteve profesionale, teknike dhe infrastrukturore, kërkojnë një angazhim konstant e të gjithanshëm.

Sistemi i ri i menaxhimit të çështjeve që do të përfundojë në vitin 2028, përbën një sfidë sa i përket adaptimit efikas, por edhe një mundësi për t‘ja përshtatur përfundimisht veprimtarinë institucionale epokës dixhitale. Zgjidhja e problemeve të infrastrukturës në disa nga prokuroritë e vendit është nevojë urgjente dhe përbën një moment kritik që ka potencialin për të penguar mbarëvajtjen e punës dhe nuk mund të zgjidhet pa mbështetjen e ekzekutivit.

Edhe pse është ecur mjaft në këtë drejtim përmes sigurimit të kushteve normale të punës në një pjesë të madhe të prokurorive, realizimi i projekteve të nisura në prokuroritë që kanë probleme si Tiranë, Durrës, Fier e Sarandë do të kërkojë kohë, ndërkohë që plotësimi i organikave do ta rëndojë situatën më herët se koha që nevojitet për realizimin e tyre.

Gjetja e zgjidhjeve alternative në fazën e ndërmjetme duhet të shihet me prioritet nga të gjithë kontribuesit potencialë në këtë proces. Sigurimi i infrastrukturës së përshtatshme do të hapë dhe rrugën për plotësimin me staf ndihmës për prokurorët sipas standardeve evropiane.

Ndërsa kam mbajtur një qëndrim të qartë sa i përket kundërshtisë ndaj nevojës për një kod të ri penal dhe projektit të lidhur me të, vlerësoj pozitivisht çdo përpjekje për përmirësimin e kuadrit ligjor procedural penal. Prokuroria do të jetë kontribues pozitiv në gjetjen e zgjidhjeve që sigurojnë një sistem hetimi dhe gjykimi efikas, i cili të garantojë njëkohësisht edhe të drejtat e palëve në proces.

Përmirësimet në këtë aspekt janë një nevojë reale, aq më tepër në kushtet e mbingarkesës, e cila ka ardhur edhe si pasojë e disa zgjedhjeve inefikase në ndryshimet që ju bënë Kodit të Procedurës Penale në vitin 2017. Për të disatën herë përgjatë këtyre viteve më duhet të them publikisht se ka nevojë që procesi të mos ngadalësohet në fazën e seancës paraprake, ndaj duhet të gjejmë zgjidhje të përshtatshme që respektojnë qartësisht funksionet procedurale në përputhje me standardet kushtetuese, dhe në këtë frymë sigurojnë edhe respektimin e garancive procedurale për palët.

Përtej kësaj çështje, çdo ndryshim duhet të jetë i kujdesshëm, në përputhje me përvojën, por edhe kapacitetet që ne kemi në infrastrukturë dhe burime njerëzore. Megjithatë, duhet të theksoj domosdoshmërinë që procesi konsultativ të ketë frymë konstruktive, të jetë gjithëpërfshirës si dhe të marrë kohën e nevojshme.

Përtej sa më sipër, ka nevojë që të gjejë një zgjidhje përfundimtare çështja e trajtimit financiar të magjistratëve. Për këtë nevojitet një dialog real dhe konstruktiv mes të gjitha palëve, që synon zgjidhjen e problemit dhe jo shtyrjen e tij përmes vendimmarrjeve që nuk respektojnë standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.

Këtë qëndrim Prokuroria e Përgjithshme e ka përcjellë qartësisht, si në komunikimet zyrtare me Kuvendin në fazën e procesit ligjvënës, ashtu edhe më pas. Ne do të mirëpresim dhe do të kontribuojmë aktivisht në çdo iniciativë që garanton një zgjidhje tërësore për sistemin e pagave të magjistratëve në përputhje me këto standarde.

U bë një vit nga krimi që i mori jetën gjyqtarit Astrit Kalaja, por ende nuk ka një zgjidhje tërësore afatgjatë për sa i përket sigurisë në ambientet e punës. Edhe pse kemi marrë masa shtesë në të gjitha prokuroritë e vendit sa i përket forcimit të sigurisë, nevojitet të ndërtojmë një sistem sigurie solid të standardeve evropiane për të gjithë sistemin e drejtësisë.

Ndaj do të rikthej sërish në vëmendje urgjencën e çështjes së infrastrukturës, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me atë të sigurisë.

Nga ana tjetër, ne magjistratët, duhet të mbajmë parasysh nevojën për konsolidimin e integritetit dhe standardeve profesionale si dhe përmirësimin e efikasitetit e eficencës në drejtim të hetimit dhe gjykimit në tërësi. Duhet ende shumë punë nga ana jonë për të rikthyer besimin e publikut tek drejtësia. Kjo do të jetë një përpjekje dhe përgjegjësi e përbashkët, në përgjigje të sfidave që po kalon vendi dhe të pritshmërive të qytetarëve nga sistemi i drejtësisë.

Sfida për ne si prokurorë paraqitet më komplekse në kontekstin organizativ aktual, i cili mbështetet mbi shtyllat e pavarësisë funksionale dhe decentralizimit strukturor. Domosdoshmëria për të kontribuar të gjithë bashkë në funksionimin e këtij mekanizmi, kërkon në mënyrë të paevitueshme ndërveprim e koordinim, si brenda zyrave, ashtu edhe mes niveleve. Thelbësor në këtë aspekt mbetet roli i drejtuesve që përmes veprimtarisë së tyre duhet sigurojnë lidhjen organike mes zyrave dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Pasiviteti dhe inkoherenca dëmtojnë funksionimin institucional, ndaj kërkohet një kontribut aktiv i vazhdueshëm.

E kam theksuar vazhdimisht se rol kyç në këtë drejtim luan edhe qëndrimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, jo vetëm në drejtim të procesit të vlerësimit të magjistratëve apo llogaridhënies, por së pari në mbështetjen ndaj Prokurorit të Përgjithshëm për realizimin e përgjegjësisë që i ngarkon ligji e Kushtetuta për mirëfunksionimin e prokurorisë.

Ndërtimi dhe konsolidimi i një marrëdhënieje konstruktive mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet dhe përbën një domosdoshmëri jetike për mirëfunksionimin e sistemit. Progresi që kemi arritur në këto vite u konkretizua më tej me memorandumin e bashkëpunimit të lidhur këtë vit, i cili synon të krijojë një sinergji dinamike mes dy institucioneve.

Për të gjitha sa më sipër, është e nevojshme që ky proces zgjedhor, në gjithë spektrin e tij, të bazohet mbi premisën e vullnetit pozitiv, për ndërtimin një marrëdhënieje konstruktive e transparente mes prokurorëve nga njëra anë dhe anëtarëve të zgjedhur e Këshillit të Lartë të Prokurorisë si organ kushtetues nga ana tjetër, që i shërben funksionimit të tij efikas e në përputhje me standardet më të mira.

Anëtarët e rinj të këshillit që do të zgjidhen nga kjo mbledhje e përgjithshme, do të bëhen bartës të një përgjegjësie kushtetuese e ligjore themelore në funksion të garantimit të mirëfunksionimit të shtetit të së drejtës dhe besoj se me përvojën e përkushtimin e tyre profesional do të jenë kontribues realë në forcimin e shtetit të së drejtës, ndaj dëshiroj t’i falënderoj kandidatët për angazhimin e tyre në këtë proces si dhe për integritetin e profesionalizmin e treguar gjatë fushatës që kanë zhvilluar e t’ju uroj atyre suksese.

Sot do të zhvillojmë edhe procesin e zgjedhjes së një anëtari nga radhët e prokurorëve në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Formimi profesional fillestar dhe formimi i vazhdueshëm i kandidatëve për magjistratë dhe magjistratëve, janë thelbësorë për ndërtimin e një sistemi drejtësie profesional dhe eficient. Roli i këtij këshilli është mjaft i rëndësishëm në garantimin e standardeve më të mira në këtë fushë, ndaj zgjedhja e anëtarit të ri duhet të vlerësohet me përgjegjësi maksimale në mënyrë që t’i përgjigjet pritshmërive më të larta që ju keni në drejtim arritjes së tyre.

Anëtari i zgjedhur duhet të sjellë një kontribut substancial në këtë këshill në përgjigje të atyre që janë edhe sfidat që po kalon sot sistemi i drejtësisë, ndaj në përfundim, duke u uruar edhe suksese dy kandidatëve, dua t’u përcjell atyre mesazhin e domosdoshmërisë së një angazhimi serioz, aktiv e konstruktiv në katër vitet e mandatit nga i zgjedhuri prej prokurorëve në këtë Këshill Drejtues”, u shpreh Çela.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.