Trump nderon Elon Musk me Medaljen Kombëtare të Shkencës: “Thomas Edison i kohëve moderne”
– Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë drejtuesit të SpaceX, Elon Musk, Medaljen Kombëtare të Shkencës, një nga vlerësimet më të larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arritjet në shkencë dhe inxhinieri, duke e cilësuar atë si “Thomas Edison i kohëve moderne”, sipas “New York Post”.
Ceremonia u zhvillua dje në Institutin e Paqes në Uashington, në kuadër të aktivitetit “Shkenca: Një epokë e re e artë”, kushtuar zhvillimeve shkencore dhe teknologjike.
Përveç Musk, Medaljen Kombëtare të Shkencës e morën edhe bashkëthemeluesi i “Google”, Sergey Brin, drejtori ekzekutiv i “Nvidia”, Jensen Huang, dhe drejtuesja e kompanisë AMD, Lisa Su.
Ndërkohë, drejtuesi i “Dell Technologies”, Michael Dell, dhe drejtori ekzekutiv i “Microsoft”, Satya Nadella, u nderuan me Medaljen Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit.
Gjatë ceremonisë, Trump vlerësoi kontributin e Musk në zhvillimin e teknologjisë dhe industrisë amerikane, duke e përshkruar atë si një figurë të rëndësishme për përparimin e vendit.
Presidenti amerikan theksoi se arritjet inxhinierike të Musk, kanë ndihmuar në zgjerimin e mundësive të eksplorimit të hapësirës, zhvillimin e sistemeve inteligjente dhe përparimin e komunikimit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Musk u vlerësua për projektet inxhinierike me ambicie dhe përmasa të jashtëzakonshme, të cilat kanë zgjeruar kufijtë e eksplorimit hapësinor dhe kanë kontribuar në forcimin e rolit të SHBA-së në teknologji dhe prodhim industrial.
Marrëdhënia Trump–Musk, nga përplasja te afrimi i fundit
Pavarësisht vlerësimeve të bëra gjatë ceremonisë, marrëdhënia mes Trump dhe Musk ka kaluar nëpër periudha tensioni.
Musk mbështeti Trump gjatë fazës së fundit të fushatës presidenciale të vitit 2024.
Pas rikthimit të presidentit republikan në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Musk mori një rol të rëndësishëm në Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE), një strukturë e krijuar për të ulur shpenzimet federale dhe për të zvogëluar administratën shtetërore.
Megjithatë, marrëdhënia mes tyre u përkeqësua në vitin 2025, kur Musk kritikoi projektligjin e Trump për taksat dhe shpenzimet qeveritare, të njohur si “One Big Beautiful Bill”.
Kritikat e sipërmarrësit shkaktuan një përplasje publike mes dy figurave, të cilat deri atëherë kishin bashkëpunuar ngushtë.
Më vonë, marrëdhëniet mes tyre u përmirësuan sërish. Në javët e fundit, Musk dhe drejtues të tjerë të industrisë së teknologjisë, janë shfaqur në aktivitete në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë takime që lidhen me zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Musk, i cili drejton kompanitë “SpaceX” dhe “Tesla”, është një nga sipërmarrësit më të njohur në sektorët e hapësirës, automjeteve elektrike dhe sistemeve të inteligjencës artificiale.
Vlerësimet amerikane për shkencën dhe teknologjinë
Medalja Kombëtare e Shkencës, që prej vitit 1963, u jepet personave që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në fushat shkencore dhe inxhinierike.
Ndërsa Medalja Kombëtare e Teknologjisë dhe Inovacionit, e dhënë për herë të parë në vitin 1985, vlerëson personat që kanë kontribuar në zhvillimin e teknologjisë dhe në forcimin e ekonomisë amerikane.
Ceremonia e djeshme, u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të administratës Trump për të nxitur zhvillimin shkencor dhe teknologjik të SHBA-së, me vëmendje të veçantë ndaj inteligjencës artificiale, informatikës së avancuar dhe eksplorimit të hapësirës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.