Prokuroria po heton plumbat e gomës! U plagos në sy gjatë protestës, Erion Vishkulli thirret në organin e akuzës, verifiko
Prokuroria e Tiranës nis ftesat për qytetarët që kanë mbetur të dëmtuar gjatë protestave në Tiranë, për të mësuar rrëfimin e tyre se si u plagosën me plumba gome.
Nga lista e katër shtetasve, tre prej tyre të dëmtuar në bark dhe njëri në sy, i pari që do të pyetet është Erion Vishkulli, i cili u plagos në sy dhe pas ndërhyrjeve në Itali është kthyer në Shqipëri.
Të riut i është dërguar ftesa për t’u pyetur në datën 25 nëntor, ora 11:00. Nga ana tjetër, për shkak se italianët ende nuk kanë sjellë letër-porosinë, përmes së cilës do të konfirmohet zyrtarisht nëse 28-vjeçari është plagosur apo jo me plumb gome, akuza po vijon me veprime të tjera.
Një ndër to është kërkesa për të administruar identitetin e oficerëve që kishin të drejtë të përdornin armë me plumba gome, planvendosjet e tyre dhe, po ashtu, planin e masave për protestat.
Në gjykatë numri i të arrestuarve ka shkuar mbi 300 dhe në masat e shpallura nga gjykata është vendosur, për përqindjen më të lartë, masa e detyrimit me paraqitje.
Ndërsa prokuroria ka bashkuar 20 kallëzime të qytetarëve që pretendojnë se u dhunuan dhe ndaj tyre u kryen veprime arbitrare.
Më herët, në daljet publike, ministri i Brendshëm Ervin Demo deklaroi se gjatë ditëve të protestave të dhunshme u dëmtuan 200 punonjës policie dhe 107 protestues, ndërsa u shpreh se në veprimet e dhunshme kundër policisë dhe institucioneve organizatorët e protestës kishin përdorur të mitur.
Për këtë argument, ministri solli shifrën prej 269 shtetasve të shoqëruar që ishin nën moshën 18 vjeç.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.