Protesta e 28 nëntorit, studenti Klevis Tako: Po organizohemi në nivel fakultetesh, të rinjtë e takimit të Ramës nuk na përfaqësojnë
Studentët kanë nisur organizimin në nivel fakultetesh në prag të protestës kombëtare të 28 nëntorit, ndërsa studenti Klevis Tako thotë se të rinjtë e shfaqur në takimin e publikuar nga kryeministri Edi Rama nuk janë protestues dhe nuk i përfaqësojnë.
Studentët kanë nisur organizimin në nivel fakultetesh në prag të protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor. Siç njofton BalkanWeb, studenti Klevis Tako deklaroi në një intervistë për “News24 Fundjavë” se të rinjtë po koordinohen për të përhapur frymën e protestës në universitete.
Tako theksoi se Policia e Shtetit duhet të zbatojë ligjin dhe jo të veprojë sipas urdhrave të eprorëve. “Çdo polici duhet të respektojë ligjin, jo të dëgjojnë urdhrat e shefit”, u shpreh ai.
Lidhur me diskutimet për krijimin e një formacioni politik nga studentët, Tako vlerësoi se zgjidhja politike është e mirë, por kërkon një organizim të mirëfilltë dhe nuk duhet bërë me nxitim, sepse çdo gjë e bërë shpejt nuk rezulton e suksesshme.
Studenti komentoi edhe takimin e publikuar nga kryeministri Edi Rama me disa të rinj, të prezantuar si studentë protestues. Sipas Takos, nga fytyrat e shfaqura në pamje ai nuk identifikoi asnjë protestues të rregullt: “Ata nuk na përfaqësojnë dhe e dimë shumë mirë kush janë”.
“Rama ka përdorur propagandën dhe dhunën policore. Por propaganda nuk i funksionon më”, tha më tej Tako, duke shtuar se urrejtja ndaj këtij pushteti është më e madhe, si tek ata që janë në shesh, ashtu edhe tek ata që janë në shtëpi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.