Protesta, Zogaj: Një takim i madh është në horizont
Analisti Preç Zogaj ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se protestat në Shqipëri nuk janë një ngjarje kalimtare, por shenjë e një zgjimi të ri shoqëror, duke paralajmëruar se një “takim i madh” me ndikim të rëndësishëm është në horizont.
Zogaj u shpreh se, pavarësisht epokës së komunikimeve masive, ata që fokusohen vetëm te fotografitë nga ajri dhe numri i pjesëmarrësve, e kanë gabim të madh.
“Jemi në epokën e komunikimeve masive, por një takim i madh mendoj unë është në horizont dhe ai që ata që mendojnë se i gëzohen fotografive nga ajri e kanë shumë gabim. Kjo është protestë që nuk dështon. Është e padështueshme në qëllimet e veta, në kërkesat e veta, në mbështetjen që ka. Është e padështueshme në misionin e vet. Është një e mirë për Shqipërinë”, tha Zogaj.
Ai theksoi se protestat kanë një specifikë të qartë: ato vendosin targete konkrete kundër atyre që në momente të caktuara konsiderohen përgjegjës, por gjithmonë duke iu apeluar së mirës së përgjithshme të vendit.
“Unë mendoj se të gjithë edhe ata që janë subjekt i një denigrimi, po e them nga protesta dhe protestat e kanë këtë specifikë gjithmonë se do të caktojnë targete kundër kujt janë në një moment x duke u frymëzuar, duke i bërë apel asaj që është e mira e Shqipërisë. Mund të thoshin që populli u zgjua. Ky populli jonë u zgjua”, u shpreh analisti
.Zogaj vuri në dukje se ky moment përfaqëson zgjimin e brezit të ri, i cili po përkufizon një mision të qartë për të marrë përgjegjësinë ndaj vendit.
“Ka ardhur koha që brezi i ri përkufizon misionin e vetë dhe në thelbin e vetë duke lënë mënjanë disa aspekte periferike. Është një brez që po përkufizon një misionin e vetë për t’i dalë zot vendit. Dhe është fat për Shqipërinë. Ky është një brez i shkolluar”, shtoi ai.
Sipas Zogajt, politika e deritanishme ka “djegur” breza të tëra për shkak të kapjes së institucioneve, personalizimit të pushtetit si në qeveri ashtu edhe në opozitë.
“Janë dhe breza të djegur. Domethënë këtu kapja e politikës dhe e demokracisë dhe personalizimi i pushteteve në qeveri dhe në opozitë ka djegur breza të tërë politikash dhe kjo ka qenë e dëmshme për Shqipërinë. Duhet ta kishim kuptuar me kohë”, tha ai.
Ai përfundoi duke e cilësuar këtë lëvizje si të pakthyeshme dhe si një vizion të ri që nuk dështon.
“Këtu tani është koha e brezit tjetër, e një brezi të ri që vjen me një vizion të ri. Nga kjo pikëpamje kjo nuk dështon. Ata që mendojnë që e shohim mënyrë meskine u pakësuan tani dhe të vazhdojmë siç ishim. Jo, është qasje shumë e gabuar, është dritë shkurtër”, theksoi më tej ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.