☀️
Tiranë 24°C · Kthjellët 28 July 2026
S&P 500 7,429 ▲0.21%
DOW 52,747 ▲1.03%
NASDAQ 24,877 ▼0.22%
NAFTA 79.13 ▼4.21%
ARI 4,029 ▼1.18%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $63,923 ▼ -1.51% ETH $1,921 ▼ -1.39% XRP $1.0645 ▼ -2.42% SOL $74.1000 ▼ -2.35%
S&P 500 7,429 ▲0.21 % DOW 52,747 ▲1.03 % NASDAQ 24,877 ▼0.22 % NAFTA 79.13 ▼4.21 % ARI 4,029 ▼1.18 % S&P 500 7,429 ▲0.21 % DOW 52,747 ▲1.03 % NASDAQ 24,877 ▼0.22 % NAFTA 79.13 ▼4.21 % ARI 4,029 ▼1.18 %
EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057
28 Jul 2026
Breaking
Opinion

Pushteti nuk fitohet nga dështimi i tjetrit

Nga Shpëtim Luku

Sa herë meditoj rreth politikës shqiptare dhe mënyrës se si duhet të funksionojë ajo, shembujt më vijnë nga biznesi.

Andej nga vitet 2000, kur privatizimi i pronave publike u intensifikua, disa biznesmenë shpikën teorinë e favorizimit të biznesmenëve vendas në ankandet e privatizimit. “T’i marrin pronat shqiptarët, të mbetet leku këtu”, ishte argumenti i tyre. Dhe nuk është se nuk ia panë hajrin kësaj logjike.

Birra Tirana ishte një nga pronat publike që u privatizua nën ndikimin e kësaj fryme. Në atë kohë, fituese e ankandit rezultoi kompania italiane Moretti, por letrat u rregulluan në mënyrë të tillë që prona përfundoi në duart e një grupi biznesmenësh shqiptarë. Më pas aksionet kaluan nga njëri te tjetri, derisa sot kompania është pronë e një aksioneri të vetëm.

Por realiteti pas privatizimit nuk solli ndonjë histori suksesi. Përkundrazi, Birra Tirana u shndërrua nga një prej zgjedhjeve të para të konsumatorëve në një markë pothuajse të padukshme në treg. E njëjta histori u përsërit edhe me shumë prona të tjera publike, të cilat nuk gjetën kujdestarin më të aftë, sepse konkurrimi nuk ishte i lirë dhe fituesi nuk ishte domosdoshmërisht më i miri.

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër bindem se edhe politika funksionon me të njëjtën logjikë.

Në politikë shpesh dëgjojmë thirrje që kundërshtari të largohet, të dorëhiqet ose të shpallet i padenjë për të qeverisur. Në pamje të parë kjo duket logjike. Por, në të vërtetë, nëse kundërshtari është i korruptuar, qeveris keq apo krijon pakënaqësi, ai po prodhon pikërisht atë që opozitës i nevojitet më shumë: arsyet pse qytetarët duhet të kërkojnë ndryshim.

Dështimet e qeverisë janë lënda e parë e opozitës. Por lënda e parë, sado e bollshme të jetë, nuk mjafton për të ndërtuar një alternativë.

Ashtu si një biznes nuk fiton tregun vetëm sepse rivali i tij ka dështuar, edhe një parti politike nuk fiton pushtetin vetëm sepse qeveria ka konsumuar besimin e qytetarëve. Duhet një program i besueshëm, një vizion i qartë, njerëzit e duhur dhe, mbi të gjitha, aftësia për të krijuar “kiminë” e nevojshme me votuesit.

Sepse, po të ishte e mjaftueshme të prisje gabimet e kundërshtarit, pushteti do të ndërrohej çdo javë. Por qytetarët nuk votojnë vetëm për të ndëshkuar dikë, ata votojnë edhe për t’i besuar dikujt.

Ashtu si në biznes, nuk fiton domosdoshmërisht ai që përfiton nga dobësitë e tjetrit. Fiton ai që bind se është kujdestari më i mirë i asaj që kërkon të marrë në dorë. Në privatizim, kur prona nuk i jepet atij që di ta zhvillojë, humbet prona. Në politikë, kur pushteti nuk i besohet atij që di të qeverisë më mirë, humbet e gjithë shoqëria.

Prandaj alternativa nuk ndërtohet duke pritur rrëzimin e kundërshtarit. Ajo ndërtohet duke u bërë çdo ditë arsyeja pse qytetarët duhet të të zgjedhin ty. Vetëm atëherë rotacioni nuk është thjesht ndërrim pushteti, por një përmirësim i vërtetë i qeverisjes.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.